Lajme

Qerimi për zgjedhjet lokale: Vetëvendosje shënoi rënie, PDK u rikthye si subjekti më i madh politik

10/14/2025 20:24
nga:N K

Profesori universitar, Gëzim Qerimi, lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit ka thënë se kanë sjellë një përzierje mes rezultateve të pritshme dhe surprizave elektorale.

Qerimi në një prononcim për GazetaBlic, ka thënë se në shumicën e komunave, fitoret e partive “tradicionale” ishin të parashikueshme, por në disa komuna të mesme dhe të vogla janë vërejtur zhvillime befasuese, ku kandidatët e pavarur e koalicionet lokale kanë arritur të sfidojnë subjektet e mëdha.

“Kjo tregon një pjekuri të re politike dhe një kërkesë të qytetarëve për qeverisje më të përgjegjshme dhe më afër komunitetit”.

Sipas tij, rezultati i PDK-së në Prishtinë mbetet ndër më befasuesi edhe pse kandidati i saj, Uran Ismajli nuk arriti të hyjë në balotazh,rikthimi i kësaj partie në nivel vendi është i kënaqëshëm, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar rënie që prej zgjedhjeve nacionale.

“Befasia në nivel vendi është rikthimi i PDK-së si subjekti më i madh politik, bazuar në votën për asamble dhe ndarjen e mandateve. Në të kundërt, Lëvizja Vetëvendosje, që vetëm tetë muaj më parë kishte fituar mbi 42% të votave në zgjedhjet nacionale, ka pësuar një rënie të dukshme në rreth 20%, duke u renditur si subjekti i tretë në nivel vendi”.

“Një tjetër zhvillim interesant është rezultati i PDK-së në Prishtinë, i cili konsiderohet ndër më befasuesit e këtyre zgjedhjeve. Edhe pse kandidati i saj nuk arriti të hyjë në balotazh, PDK u rendit partia e dytë në kryeqytet, duke e lënë pas Vetëvendosjen. Me 28,739 vota në Prishtinë, PDK-ja ka marrë më shumë vota se në gjithë rajonin e Drenicës (Skenderaj dhe Drenas së bashku), ku ka fituar gjithsej 19,592 vota, çka tregon një zhvendosje të qartë të bazës elektorale dhe një hapje të partisë drejt zonave urbane”.

Tutje Qerimi për situatën në veri e cilësoi si të pritshëm rezultatin e Listës Serbe.

“Në veri, dominimi i Listës Serbe ishte i pritshëm, ndonëse diferencat e mëdha në disa komuna kërkojnë analizë të kujdesshme për transparencën e procesit”.

“Në tërësi, këto zgjedhje përçuan një mesazh të qartë: qytetarët po kërkojnë ndryshim të vërtetë, lidership të përgjegjshëm dhe një politikë lokale më afër njerëzve, përtej sloganeve dhe retorikës partiake”- përfundoi Qerimi për GazetaBlic.

Gaxherri: LDK, partia e parë në nivel vendi – Befasi ka qenë rezultati i Ramiz Lladrovcit