Të dielën e 12 tetorit u mbajtën zgjedhjet lokale, ku votuesit në Kosovë votuan për kryetarët e komunave dhe kandidatët për asambletë komunale.
Sipas të dhënave preliminare nga KQZ, VV ka fituar pa balotazh në tri komuna (Podujevë, Kamenicë, Shtime), po aq edhe PDK (Ferizaj, Skënderaj, Hani i Elezit), LDK ka fituar në dy komuna (Lipjan, Istog), ndërsa AAK fitoi në Deçan, e Nisma në Malishevë.
Ramiz Lladrovci fitoi në Drenas, ndërsa në Mamushë fitoi kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDKP).
Lista Serbe fitoi në 9 komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa në Kllokot prin, por shkon në balotazh me Unitetin Kombëtar Serb.
Kurse, sa i përket balotazhit, VV do të garojë në balotazh në 12 komuna, LDK në 9, PDK në 6 komuna dhe AAK në pesë.
Lidhur me rezultatet e zgjedhjeve, për Gazeta Blic ka folur analisti politik, Halil Matoshi.
Sipas tij, befasi nuk ka në këto zgjedhje.
“Së pari duhet theksuar faktik se me këto zgjedhje është arritur një balanc demokratik në vend. Porse befasi nuk ka”, ka thënë ai.
Sipas Matoshit, PDK prin me komuna të fituara.
“Me votë popullore prin PDK (175 mijë) dhe nëse Ramiz Lladrovci mbetet pjesë e saj, del partia e parë me katër komuna të fituara pa balotazh: Ferizaj, Skënderaj, Han i Elezit dhe është e para në katër tjera me gjasa të mëdha për fitore dhe e dyta në dy komuna. Së këndejmi, probabiliteti që të jetë e para është i madh”, ka theksuar analisti për Gazeta Blic.
Matoshi shton se VV ka fituar rritje por ka tri komuna të fituara dhe mund t’i fitojë edhe dy në balotazh.
“LVV ka shënuar një rritje por mbetet me tre komuna të fituara pa balotazh me gjasa të mëdha t’i fitojë edhe dy tjera (Gjilan dhe Fushë Kosovë)”, ka shtuar ai.
Ndërsa, sa i përket LDK-së, Matoshi thotë se është e treta dhe mund të fitojë edhe në tetë komuna.
“LDK është e treta me dy komuna të fituara pa balotazh dhe me mundësi të mira të fitojë edhe në Prishtinë, Obiliq, Viti, Junik, Dragash dhe Pejë, Pra në tetë komuna”, ka vlerësuar ai.
Ai ka analizuar dhe rezultatin e AAK-së.
“AAK i ruan komunat e saj dhe dëshmon se është forcë politike e qëndrueshme në pushtetin vendor”, ka thënë ai.
Sipas tij, në balotazh në Prishtinë fiton LDK dhe PDK në Mitrovicë.
“Gara në balotazh është e hapur në Prishtinë të cilën e fiton LDK dhe në Mitrovicë të cilën e fiton PDK”, ka deklaruar Halil Matoshi./Gazeta Blic/


