Lajme

Abdixhiku pas konstituimit të Kuvendit: U zhbllokua procesi për themelimin e institucioneve të reja!

10/10/2025 13:48
nga:Y I

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas konstituimit të Kuvendit me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, në votimin e të cilit mori pjesë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës,

Abdixhiku tha se votimi i Rashiq nga LDK-ja erdhi pas analizës juridike shteruese, ku kjo parti ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka hapur rrugë për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe për konstituimin e Kuvendit.

“LDK-ja vlerëson se mbajtja e vendit të bllokuar për më shumë se pesë muaj, për një pozitë tërësisht formale dhe të parěndësishme, ka qenë akt i papërgjegjshëm, që ka dëmtuar interesin e Republikës.E vetëdijshme se debati i paqenë mbi Listën Serbe dhe veton e saj në procesin e konstituimit të kuvendit, ishte kthyer në temë elektorale, LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga axhenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit” shkruan Abdixhiku raporton “Gazeta Blic”.

Abdixhiku tha se me këtë veprim, u zhbllokua procesi për themelimin e institucioneve të reja, si dhe u parandaluan shkeljet e reja kushtetuese të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Reagimi i plotë:

KOSOVA SOT KA KUVEND

Me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendi sot ka Kuvend funksional dhe është rikthyer në afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas analizës juridike shteruese, ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka hapur rrugë për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe për konstituimin e Kuvendit.

LDK-ja vlerëson se mbajtja e vendit të bllokuar për më shumë se pesë muaj, për një pozitë tërësisht formale dhe të parěndësishme, ka qenë akt i papërgjegjshëm, që ka dëmtuar interesin e Republikës.

E vetëdijshme se debati i paqenë mbi Listën Serbe dhe veton e saj në procesin e konstituimit të kuvendit, ishte kthyer në temë elektorale, LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga axhenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit.

Me këtë veprim, u zhbllokua procesi për themelimin e institucioneve të reja, si dhe u parandaluan shkeljet e reja kushtetuese të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, përfshirë uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese.

LDK, edhe një herë, siç i takon e siç beson, shfaqet si parti përgjegjëse drejt institucioneve dhe vet Republikës.
Rruga për formimin e Qeverisë është tashmë e hapur. Për 177 ditë me radhë, ata kanë thënë se i kanë votat. Tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës.