Lajme

Bojkoti i avokatëve, shtyhet seanca paraprake për Veliajn në GJKKO

10/10/2025 10:30
nga:Y I

Seanca paraprake ndaj ish-kryebashkiakut Erion Veliaj në GJKKO është shtyrë.

Shkak është bërë bojkotit të avokatëve pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra teksa ndodhej në sallën e gjyqit.

Herën e parë seanca paraprake u shty për shkak të mosnjoftimit në kohë të të pandehurve.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 tetor, në orë 9:00.

Erion Veliaj përballet me 13 akuza të rënda penale, të cilat lidhen kryesisht me korrupsion pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe falsifikim të pasurisë. Sipas SPAK, akuza përfshijnë:

9 raste korrupsioni të zyrtarëve të lartë, të kryera në bashkëpunim;

Pastrim parash përmes kompanive private dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten;

Deklarim i rremë i pasurisë;

Fshehje të ardhurash;

Shpërdorim detyre;

Futje e sendeve të paligjshme në ambientet e vuajtjes së dënimit;

Ndryshim i planit të detajuar vendor dhe dhënie e një leje ndërtimi për objekt shumëkatësh, ku bashkëshortja kishte interesa financiare, duke dëmtuar interesat e shtetit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kanë marrë përfitime të parregullta në shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të cilat kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë.