Kandidati i AAK-së për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, ka ftuar qytetarët të mos bien pre e propagandës dhe manipulimeve që sipas tij po shpërndahen.
Kuçi bëri të ditur se ditëve të fundit po shpërndahen një ‘sondazh’ që sipas tij është i porositur nga Instituti Riinvest.
Ai potencoi se ky ‘sondazh’ nuk përfaqëson aspak vullnetin e qytetarëve të Junikut por është produkt i dëshirës dhe interesit politik të atyre që po e ndjejnë fundin e pushtetit të tyre.
“Të dashur junikas, mos u mashtroni nga këto lojëra të vjetra politike, qëndroni të vendosur, të bashkuar dhe të qetë. Juniku gjithmonë ka ditur të zgjedhë drejt, të mbrojë të vërtetën dhe të qëndrojë në anën e punës e zhvillimit.As sondazhet e fabrikuara, as propaganda e orkestruar nuk do ta ndryshojnë realitetin, qytetari i Junikut është i bashkuar për ndryshim, për dinjitet dhe për ta çuar Junikun përpara” shkruan Kuçi raporton “Gazeta Blic”.
Reagimi i plotë:
DEMANT PUBLIK
Të dashur qytetarë të Junikut, mos bini pre e manipulimeve dhe propagandës që po shpërndahet në prag të humbjes së pushtetit aktual. Ditëve të fundit është publikuar një “sondazh” i porositur nga Instituti Riinvest, nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut, kryetar i LDK-së.
Ky “sondazh” nuk përfaqëson aspak vullnetin e qytetarëve të Junikut, por është produkt i dëshirës dhe interesit politik të atyre që po e ndjejnë fundin e pushtetit të tyre, është një përpjekje e qartë për të manipuluar opinionin publik dhe për të përgatitur terrenin për blerje e vjedhje votash.
Por në Junik këto metoda nuk kanë funksionuar kurrë dhe nuk do të funksionojnë as tash, qytetarët e Junikut kanë vetëdije, dinjitet dhe kujtesë. Ata e dinë mirë kush ka punuar për këtë vend dhe kush ka jetuar nga propaganda.
Për ta kuptuar mashtrimin, mjafton të shihet fakti se ky “sondazh” ka përfshirë vetëm tre subjekte, votuesit e pavendosur dhe ata që nuk do të votojnë por nuk ka përfshirë as PDK-në, e cila është pjesë reale e garës dhe ka pasur ulëse në Asamble komunale. Ky fakt e bën të qartë se nuk kemi të bëjmë me sondazh, por me një vegël propagandistike të fabrikuar për interesat e LDK-së dhe pushtetit të saj në ikje.
Të dashur junikas, mos u mashtroni nga këto lojëra të vjetra politike, qëndroni të vendosur, të bashkuar dhe të qetë. Juniku gjithmonë ka ditur të zgjedhë drejt, të mbrojë të vërtetën dhe të qëndrojë në anën e punës e zhvillimit.
As sondazhet e fabrikuara, as propaganda e orkestruar nuk do ta ndryshojnë realitetin, qytetari i Junikut është i bashkuar për ndryshim, për dinjitet dhe për ta çuar Junikun përpara.


