Lajme

Hajdari fton Lladrovcin në debat: Hajde flasim për projekte konkrete

10/09/2025 23:35
nga:G B

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, e ka ftuar kundërkandidatin e tij, Ramiz Lladrovci, në një debat televiziv.

Ftesa iu drejtua publikisht nga emisioni “Rubikon” në Klan Kosova, ku Hajdari kërkoi ballafaqim të hapur përpara qytetarëve.

“Kisha dashtë ne me pasë një debat në një studio televizive cilado qoftë. Madje i kam kërkuar që unë jam i gatshëm me u taku në cilëndo studio me bisedu për planet e ardhshme, për të mirat që i presin qytetarët e Drenasit, me projekte dhe ide konkrete sepse qytetarët meritojnë gjithçka”, tha Hajdari.

Tutje, Hajdari deklaroi se Lladrovci e ka ofenduar partinë në momentin kur ajo nuk e ka nominuar për kandidat.

“Jo dikush i cili e shfrytëzon PDK-në, logon e saj për 9 vjet në momentin kur partia nuk e nominon ai fillon me sha partinë dhe këto përplasje nuk konsideroj që e dëmtojnë PDK-në në Drenas sepse PDK-ja, qytetarët e Drenasit janë të rritur, janë të mishëruar me këtë parti, e cila e ka ADN, UÇK-në dhe është rritë më frymën e liderëve tanë historik të cilët padrejtësisht po e paguajnë një çmim për liri, shpresoj të kthehen më shpejt, por PDK nuk mundet me u thy në Drenas”, ka thënë më tej ai.