Lajme

Abdixhiku për Arbër Ismajlin: Nuk vjen nga euforia, por nga puna

10/08/2025 22:02
nga:G B

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në tubimin në Gjilan në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, derisa foli për Gjilanin, kritikoi qeverisjet e kaluara.

“Gjilani nuk është një qytet si gjithë të tjerët. Është gjurmë e thellë e historisë sonë politike. Është frymë e Rugovës, është trashëgimi e rezistencës, është shenjë e përhershme e qytetarisë. Nga këtu kanë nisur shumë beteja të mëdha dhe nga këtu po nis sot një tjetër: beteja për ta kthyer dinjitetin në qeverisje, për ta kthyer shpresën në çdo familje, për ta kthyer punën si vlerë dhe njeriun si qëllim,” tha Abdixhiku.

Tutje shtoi se Arbër Ismajli përfaqëson më së miri karakterin e qytetit të Gjilanit.

“Në krye të këtij ndryshimi qëndron një njeri që përfaqëson më mirë se kushdo tjetër karakterin e këtij qyteti përkushtimin, punën dhe ndershmërinë. Në krye të këtij rrugëtimi qëndron Arbër Ismajli, kryetari i ardhshëm i Gjilanit. Arbëri nuk vjen nga euforia, por nga puna. Nuk vjen nga zhurma, por nga qetësia. Nuk vjen nga propaganda, por nga rezultati,” tha Abdixhiku.

Ai e cilësoi Ismajlin si njeri të përkushtuar dhe të përgatitur, që do ta sjellë ndryshimin në qytetin e tij.

“Ai flet për punë konkrete, sepse Arbër Ismajli është njeri i veprave, jo i fjalëve,” tha Abdixhiku.

Shtoi se fitorja e Ismajlit do të jetë fitore e punës mbi propagandën.

“Kur ta lini votën tuaj, mos e lini thjesht për një parti, por për një qytet që e doni, për një familje që e meriton, për një të ardhme që ju takon. Sepse fitorja e Arbër Ismajlit në Gjilan nuk është vetëm fitore e një kandidati. Është fitore e punës mbi propagandën, e të vërtetës mbi mashtrimin dhe e së djathtës mbi populizmin,” tha Abdixhiku.