Lajme

Aksidentet në rritje – eksperti propozon masa të rrepta dhe rikthim në autoshkollë për shkelësit

10/07/2025 09:02
nga:N K

Eksperti i komunikacionit, Liridon Shahini, në një prononcim për GazetaBlic, ka folur lidhur me numrin e aksidenteve brenda një jave në Kosovë dhe, sipas tij, kjo është një dukuri që paraqet shqetësim në përgjithësi për akterët që duhet të merren me këtë çështje.

Shahini thekson se këtë vit kemi një rritje të numrit të aksidenteve dhe numrit të të vdekurve në aksidente, krahasuar me vitin e kaluar.

“Sipas analizave nga Policia e Kosovës, rreth 90% e aksidenteve në Kosovë ndodhin si rezultat i tejkalimit të shpejtësisë. Këtu kemi të bëjmë edhe me përdorimin e telefonit dhe mosrespektimin e rregullave në komunikacion,” – tha ai.

Shahini potencon se siguria në komunikacion nuk është vetëm çështje e policisë, por e gjithë shoqërisë, dhe se edukimi duhet të fillojë që nga nxënësit, kur janë pjesëmarrës në komunikacion si këmbësorë, e deri kur bëhen ngasës të automjeteve.

“Për të ulur numrin e aksidenteve në Kosovë, na duhen masa urgjente dhe të rrepta në raport me shkelësit e ligjit: edukimi i vazhdueshëm, shkolla më rigoroze dhe cilësore gjatë pajisjes me patentë-shofer, por jo vetëm kaq — edukim i vazhdueshëm që nga shkolla fillore, kur nxënësit janë pjesëmarrës në komunikacion si këmbësorë, si biçiklistë, e deri sa të jenë ngasës të automjeteve,” – shtoi ai.

Ai përmendi disa masa parandaluese dhe të nevojshme për sigurinë në trafik, si: fushata të vazhdueshme me shembuj për rreziqet dhe pasojat e aksidenteve; vendosja e kamerave dhe radarëve statikë; kujdesi ndaj shoferëve të rinj — të cilët deri në 2 vite pas pajisjes me patentë duhet të jenë nën mbikëqyrje të një personi tjetër që ka patentë më të vjetër se 2 vite; trajnime dhe kthim në autoshkollë për shkelësit e rregullave.

“Gjithashtu, masa të tjera të nevojshme që ndikojnë në uljen e aksidenteve janë edhe kujdesi më i rreptë policor. Por, këtu duhet të kemi parasysh që nuk mjafton vetëm matja e shpejtësisë, sepse numër i madh i shkeljeve të rregullave bëhet edhe në udhëkryqe, rrethrrotullime, semaforë, tejkalim në vijë të plotë, etj.”

“Pra, veturat e policisë duhet të jenë gjithandej rrugëve,” – përfundoi Shahini për GazetaBlic.