Gazetari dhe analisti, Halil Matoshi, ka folur lidhur me situatën aktuale politike në vend, ku theksoi se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjidhja e vetme që ka mbetur për të zgjedhur ngërçin politik, dhe se deputetët kanë shkelur besimin e popullit duke mos formuar institucionet.
Matoshi për GazetaBlic tha se shumica parlamentare kanë mbajtur vendin nën bllokadë për 6 muaj duke e përdorur listën serbe si justifikim për krizën institucionale.
“Gjashtë muaj bllokadë nga shumica, për ta akuzuar Listën Serbe se po e bllokon shtetin në një anë dhe Gjykatën Kushtetuese se po u jep veto Serbisë dhe kësaj liste, në anën tjetër”- u shpreh ai.“Këta 120 deputetë e kanë shkelë besimin popullor nën diktatin e Albin Kurtit duke mos i dhënë vendit institucione”.
Matoshi situatën e krijuar politike e quajti “Papërgjegjësi e skajshme nën plafin e një nacionalizmi primitiv të shekullit 19-20”.
Sipas tij, Kosova ëshë nën sulmin e vet kosovarëve.
“Nga injoranca. Mungesa e vetëdijes për shtetin si strukturë moderne e Atdheut dhe kthim tek interpretimi enverist i Rilindjës kombëtare!” përfundoi ai.
Anëtari i AAK-së, Arton Demhasaj, lidhur me situatën aktuale politike, shkuarjen në zgjedhje të parakohshme e sheh si zgjedhje të vetme për të dal vendi nga kriza.
Demhasaj në një prononcim për GazetaBlic, tha pas shkuarjes së vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, partitë politike do të jenë më të kujdesshme me veprimet e tyre dhe do të krijohen rrethanat e favorshme për formimin e institucioneve dhe Qeverisë.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale në të cilën gjendemi, nuk po gjendet një konsensus politik i partive politike të cilat kanë vende në Kuvend që me i jep zgjidhje problemit, ngërqit politik që tashmë nuk është ngërq juridik por politik, atëherë një mundësi për me dal nga ky ngërq ëshë padyshim shkuarja në zgjedhje”- u shpreh ai.“E me gjasë në zgjedhje të parakohshme partitë janë më të kujdesshme me fjalorin e tyre në fushatë dhe pastaj krijohen mundësitë dhe rrethanat që pas zgjedhjeve të parakoshme me pas mundësi edhe të marrëveshjeve koalicioni mes partive politike për me i kriju institucionet natyrisht edhe Qeverinë , mos me humb kohë më shumë qysh kem humb tash e 7/8 muaj”- përfundoi Demhasaj.


