Lajme

‘Zbulimi i hershëm, arma më e fortë kundër kancerit të gjirit’ – Izet Sadiku: Kemi blerë dy mamografë në Prishtinë, mamografia ofrohet çdo ditë

10/03/2025 15:05
nga:N K

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se kryeqyteti ka rritur kapacitetet për diagnostifikimin e hershëm dhe fushatat sensibilizuese, raporton GazetaBlic.

Në një intervistë për GazetaBlic, Sadiku tha se Prishtina tash e disa vite i është bashkuar fushatës ndërkombëtare “Race for the Cure”, e cila zhvillohet në mbi 150 shtete të botës, duke përkrahur gratë që kanë mbijetuar nga kjo sëmundje.

“Këtë vit, më 14 shtator, organizuam vrapimin ku morën pjesë mbi 500 persona në Prishtinë. Po ashtu, brenduam një autobus të Trafikut Urban me informata për kancerin e gjirit dhe numrin e telefonit për mamografi. Përmes këtij autobusi, mesazhi arrin tek rreth 100 mijë qytetarë”,  tha ai.

Tutje, Sadiku tha se kanë filluar të zhvillojnë ligjërata në shkolla të mesme, kryesisht për nxënësit e klasëve të 10-ta dhe 11-ta, me qëllim që të rinjtë të bartin mesazhin për parandalim brenda familjeve të tyre.

Sadiku theksoi se arma më e fuqishme përballë kësaj sëmundjeje është zbulimi i hershëm.

“Kanceri i gjirit vazhdon të jetë më i shpeshti tek gratë. Statistikat tregojnë se një në tetë femra preket nga kjo sëmundje. Pra qëllimi është që gratë mbi 40 vjeç të bëjnë mamografinë në mënyrë të rregullt”, u shpreh ai.

Përveç fushatave sensibilizuese,  Sadiku u shpreh se Komuna e Prishtinës ka rritur edhe kapacitetet diagnostike.

Sipas Sadikut, kohët e fundit janë blerë dy mamografë të rinj, duke mundësuar që në tri qendra të Mjekësisë Familjare (Veternik, Dardani dhe QKMF kryesore në rrugën Fehmi Agani) mamografia të kryhet çdo ditë pune nga ora 07:00 deri në 13:00.

“Për dallim nga e kaluara, tash nuk kemi lista të pritjes. Çdo grua që vendos të bëjë mamografi, mund ta kryejë brenda ditës. Shërbimi është plotësisht falas,” theksoi Sadiku.

Ai shtoi se edhe gratë nga zonat rurale mund të përfitojnë lehtësisht nga këto shërbime, pasi me vetëm 80 centë, sa kushton bileta ditore e autobusit, ato mund të udhëtojnë drejt Prishtinës dhe të kryejnë mamografinë falas.

“Është e pamundshme të bejmë mamografi në secilën zonë, qëllimi është të sensibilizohen, tash vendimi i ri që e ka marrë Komuna e Prishtinës, m,e këto linjat e autobusëve, në cdo fshat kemi linja të autobusëve dhe bileta ditore kushton 80 centë, gratë në zona rurale me shumë pak pare munden me ardhë dhe qka kemi bërë në është që në çdo qendër të mjeksisë familjare ku bëhet mamografia, mamografia është falas, kështu qe me 80 centë munden me ardhë më bërë mamografinë dhe i kanë falas krejtë shërbimet që i marrin”, potencoi ai.

Në fund, Sadiku dha një apel të qartë për të gjitha gratë:

“Ndani vetëm 20 deri në 30 minuta nga koha juaj, sepse kjo kohë mund të jetë e barabartë me shpëtim jete. Bëni mamografi, sepse një test mamografie mund të shpëtojë një jetë”, përfundoi Izet Sadiku për GazetaBlic.