Kandidati i AAK-së për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, ka reaguar në lidhje me lajmet se po shmang debatet televizive.
Kuçi ka publikuar mesazhet ku e ka njoftuar me kohë mediumin në fjalë, kundërkandidatin dhe organizatorin e këtij debati.
Ai tha se nuk do të marrë pjesë në një debat pa praninë e të gjithë kandidatëve për kryetar.
“Ky vendim nuk është ikje, por respekt për qytetarët e Junikut dhe për vetë garën tonë demokratike. Debati ka kuptim vetëm kur të gjithë kandidatët ballafaqohen në mënyrë të barabartë” shkruan Kuçi raporton “Gazeta Blic”.
Ai potencoi se e kupton se që strukturat e vjetra tentojnë të dezinformojnë dhe të manipulojnë, por nuk e kupton pse në këtë lojë bie edhe Jetmir Tofaj, i cili është gjeneratë e re dhe të cilin e kishte informuar.
“Jetmir, ajo që na nderon të gjithëve është të jemi minimalisht korrekt, edhe pse nuk kisha obligim, unë ju informova me kohë për hir të korrektësisë dhe garës së ndershme. Fushata nuk bëhet me praktika të vjetra e të pandershme, duke manipuluar qytetarët. Fushata bëhet me ide të reja, me vizion dhe me përgjegjësi” shkruan Kuci në reagimin e tij.
‘Po e them publikisht se nuk do të jem pjesë e asnjë emisioni i vetëm, pa praninë e kundërkandidatëve të tjerë’ shkruan ai.
Reagimi i plotë:
Kundërpërgjigja publike
Të nderuar qytetarë të Junikut,
Sot po qarkullojnë pretendime se edhe unë paskam shmangur debatin zgjedhor të paralajmëruar në KTV. Për korrektësi po ua bëj publike mesazhet dhe njoftimet që kam dërguar me kohë, si mediumit organizator ashtu edhe kundërkandidatit Jetmir Tofaj. Unë kam njoftuar qartë dhe me përgjegjësi se nuk do të marr pjesë në një debat jo të plotë, pa praninë e të gjithë kandidatëve për kryetar. Ky vendim nuk është ikje, por respekt për qytetarët e Junikut dhe për vetë garën tonë demokratike. Debati ka kuptim vetëm kur të gjithë kandidatët ballafaqohen në mënyrë të barabartë.
Dua ta theksoj se nuk i kam ikur asnjëherë ballafaqimit, përkundrazi kam qenë gjithmonë pjesë aktive në debate, përfshirë edhe atë të kaluar ku morën pjesë tre kandidatë dhe mungonte vetëm njëri. Qytetarët e dinë se unë asnjëherë nuk jam fshehur nga përgjegjësia apo nga pyetjet.
E kuptoj që strukturat e vjetra tentojnë të dezinformojnë dhe të manipulojnë, por nuk e kuptoj pse në këtë lojë bie edhe Jetmir Tofaj, i cili është gjeneratë e re dhe që pretendon të sjellë frymë të re. Jetmir, ajo që na nderon të gjithëve është të jemi minimalisht korrekt, edhe pse nuk kisha obligim, unë ju informova me kohë për hir të korrektësisë dhe garës së ndershme. Fushata nuk bëhet me praktika të vjetra e të pandershme, duke manipuluar qytetarët. Fushata bëhet me ide të reja, me vizion dhe me përgjegjësi.
Prandaj, po e them publikisht se nuk do të jem pjesë e asnjë emisioni i vetëm, pa praninë e kundërkandidatëve të tjerë. Jam gjithmonë i gatshëm të ballafaqohem me ide, projekte e vizione për Junikun, sepse kam punuar me drejtësi dhe nder, dhe për këtë gjithmonë do të jem i hapur para qytetarëve.
Qytetarët e Junikut meritojnë debat të hapur, të barabartë dhe të ndershëm, jo monologë dhe as lojëra politike.
Me respekt,
Agron Kuçi


