Gjykata Kushtetuese në vendimin e publikuar dje konstatoi se seanca konstituive e filluar më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Në vendim thuhet se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me nenet 66 dhe 67 të Kushtetutës.
Gjykata ka vendosur që Seanca Konstituive të përfundojë brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
“Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;”, thuhet nga Kushtetuesja raporton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me këtë vendim të Kushtetueses ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi.
Kelmendi potencoi se afetet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese janë norma të reja juridike.
Ai tha se me këtë vendim është vepruar kundër Kushtetutës dhe formës demokratike të ndërtimit të pushtetit.
Sipas Kelmendit pritet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi nuk sheh zgjidhje tjetër.
“Afatet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese janë norma të reja juridike. Detyrimi për votim të deputetit të Listes Serbe është normë e re Kushtetuese.
Me këtë vendim të Gjykatës është vepruar kundër Kushtetutes dhe formës demokratike të ndërtimit te pushtetit. Demokracia liberale dhe Kushtetuta e Kosovës nuk lejojne këso gjykate dhe kësi vendimeve në shtetet demokratike. Shkohet në zgjedhje të jashtezakonshme, une nuk di zgjidhje tjeter”deklaroi ai.
Njohësi i çështjeve juridike, Kelmendi, tha se Gjykata Kushtetuese nuk është organ legjislativ që me ligj t’i detyroj deputetët për të votuar ndonjë deputet të ndonjë partie politike.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk është organ legjislativ (Kuvend) që me ligj t’i detyroj deputetët për të votuar ndonjë deputet të ndonjë partie politike.
Deputetet janë të lirë për të vendosur dhe për të votuar. Neni 67 pag.4 i Kushtetutes tregon vetëm mënyrën me shumicë të votave që zgjidhen nenkryetaret.
Ai nen kushtetues nuk obligon votimin për a kunder, si dhe as votimin e domosdoshem per nje propozim, në Kushtetute nuk ka afate” tha Kelmendi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Muhamet Kelmendi- Njohës i çështjeve juridike!
/Gazeta Blic/
Çfarë nënkupton vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin?


