Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka folur lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, ku e ka cilësuar si një moment kyç për demokracinë dhe rendin kushtetues në Kosovë.
Sipas tij, vendimi që konstaton moskonstituimin e Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të komunitetit serb, është një test i pjekurisë institucionale dhe politike të vendit.
Berisha thekson se vendimi është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet brenda 12 ditëve, duke rivendosur rregullin kushtetues mbi praktikën e deformuar parlamentare.
Tutje, ai kritikon ashpër mazhorancën politike për fushatën degraduese ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si cenim të rendit kushtetues dhe vepër të rëndë penale.
“Ky vendim ka rëndësi të veçantë jo vetëm në aspektin juridik, por edhe politik. Demanton interpretimet e qëllimshme antikushtetues të të gjithë mazhorancës politike – nga Presidentja, Kryekuvendari aksidental pa integritet, Kryeministri kujdestar, ministrat në detyrë dhe deputetë, të cilët ndërmorën fushatë sulmesh degraduese ndaj Gjykatës Kushtetuese, që çojnë në cenim të rendit kushtetues – vepra më e lartë penale pas tradhtisë ndaj shtetit ”- tha ai.
Berisha vlerëson qasjen institucionale të partive serbe, të cilat zgjodhën rrugën ligjore përmes Gjykatës Kushtetuese, në vend të veprimeve të dhunshme.
“Çfarë duhet më shumë se një shtet kushtetues me parime perëndimore, garantues i jetës publike ligjore të të gjithë shtetasve të tij? Duhet “falënderuar” partitë serbe që, përkundër dallimeve politike, nuk imituan sjelljet e dhunshme të aleatit të tyre në qeverisje, legjislativ e politikbërje – Lëvizjes Vetëvendosje – nuk hodhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, as molotov mbi Policinë e Kosovës dhe as qëlluan me granatahedhës mbi institucionet. Përkundrazi, ata përdorën mjetin më legjitim: Iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, interpretuesit suprem të Kushtetutës”- shtoi Berisha.
Ai potencon se respektimi i vendimit është thelbësor për demokracinë ligjore dhe për raportet me aleatët strategjikë, veçanërisht SHBA-në.
Reflektimi politik dhe qëndrimi institucional në frymën e Kushtetutës tani janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm për demokracinë ligjire por edhe në raport me aleatin tonë kryesor, SHBA – dhe mundësinë e heqjes së “sanksioneve” të SHBA që i janë vendosur Kosovës me pezullimin e Dialogut Strategjik.
“Ky është një test i pjekurisë sonë demokratike dhe garanci që shteti ligjor të mos mbetet vetëm slogan, por realitet për të gjithë qytetarët,” përfundon Berisha.


