Lajme

Agim Aliu shpalos programin për Ferizajn: Transformim urban, projekte madhore dhe investime që ndryshojnë qytetin

09/29/2025 18:26
nga:Genita C

Kandidati i PDK-së për një tjetër mandat në krye të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka prezantuar planin e tij për transformimin urban dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, raporton GazetaBlic.

Ai theksoi se Ferizaj është gati të hyjë në një fazë të re të planifikimit urban dhe investimeve me ndikim afatgjatë.

Sipas Aliut, qyteti do të udhëhiqet nga një vizion modern urban, me më shumë gjelbërim, infrastrukturë shërbyese dhe siguri për investitorët. Ai theksoi rëndësinë e dokumenteve planifikuese si Plani Zhvillimor Komunal, Harta Zonale dhe Rregullorja e Bonuseve për të siguruar zhvillim të balancuar dhe qartësi për të gjithë:

“Ferizaj, po hyn në një fazë të re, planifikim modern urban, më shumë gjelbërim dhe ndërtim të infrastrukturës shërbyese çdo ditë. Plani Zhvillimor Komunal, Harta Zonale dhe Rregullorja e Bonuseve vendosin rregull dhe qartësi, zhvillim të balancuar, hapësira publike cilësore dhe siguri për investitorët.”

Një nga projektet më ambicioze është zona e re urbane e dedikuar për këmbësorë dhe biçikleta:

“Zona ‘Ferizaj i Ri’ do të projektohet krejtësisht për këmbësorë e biçikleta, me gjelbërim e lidhje të shumta. Nyjet kritike të trafikut trajtohen me hyrje-dalje të mirëplanifikuara dhe kalime të sigurta për këmbësorë.”

Aliu njoftoi gjithashtu për ndërtimin e Bulevardit të Rinisë me dizajn bashkëkohor, si dhe finalizimin e Unazës së Brendshme që do të përmirësojë qarkullimin dhe lidhjen mes lagjeve:

“Do të ndërtojmë Bulevardin e Rinisë. Me konkurs dizajni, trotuare të reja, ndriçim dhe identitet urban. I japim formë Unazës së Brendshme të Qytetit, për të lidhur më shpejt lagjet me rrugët kryesore, investim që ul ndjeshëm trafikun në qendër dhe rrit sigurinë e qarkullimit.”

Ai premtoi edhe një rrugë të re për qasje më të lehtë në Parkun e Kodrës së Sherretëve:

“Qytetarët lëvizin më shpejt, më të sigurt, me trafik të organizuar. Do të ndërtojmë një rrugë të re që dërgon te Parku në Kodrën e Sherretëve për qasje më të lehtë, organizim trafiku dhe lidhjet me lagjet me trotuare, ndriçim, gjelbërim, standard modern infrastrukturor.”

Në aspektin administrativ, Aliu tha se do të nisë studimin e fizibilitetit për një objekt të ri të Komunës dhe një parking nëntokësor, ndërsa prioritet mbeten edhe projektet për ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të zeza:

“Do të nisim fizibilitetin për ndërtimin e objektit të ri të Komunës dhe parkingun nëntokësor, me financim nga niveli qendror. Furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijes kërkon Digën në Firajë dhe Ujëmbledhësin në Jezerc, projekte kapitale kombëtare me vlerë mbi 100 milionë euro. Vazhdojmë lobimin për miratim dhe financim nga Qeveria, në koordinim edhe me komunat fqinje.”

“Impianti i trajtimit të ujërave të zeza, mbi 40 milionë euro, prioritet mjedisor dhe shëndetësor, me bashkë-financim të Qeverisë dhe Komunës tonë.”

Në fund, ai prezantoi edhe planin për Parkun e Ri të Qytetit dhe gjelbërimin masiv të zonave urbane e rurale:

“Parku i Ri i Qytetit, 1.4 hektarë me shtigje ecjeje e kënde lodrash për fëmijë. Do të mbjellim 30.000 drunj në qytet e fshatra, në shkolla dhe lagje, ajër më i pastër, ambient më i bukur, shëndet për të gjithë. Senzorë të ajrit dhe zhurmës, stola inteligjentë me karikim e WiFi, në pika të ndryshme të qytetit. Teknologji që informon dhe ngrit cilësinë e jetës. Planifikim i qartë, projekte komunale që nisin menjëherë dhe projekte kapitale që kërkojnë financim qendror.”