Lajme

Avokati Bajraktari: Gjykata Kushtetuese mund të konstatojë shkelje në zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë

09/27/2025 22:32
nga:Sh R

Avokati Ardian Bajraktari, ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme deri më 30 shtator 2025, përmes së cilës ndaloi çdo veprim për formimin e qeverisë së re, raporton GazetaBlic.

Bajraktari në një prononcim për GazetaBlic, thotë se ndonëse masa e përkohshme nuk paragjykon meritat e çështjes, ekzistojnë gjasat reale që kërkesa të pranohet dhe të konstatohet se mënyra e zgjedhjes së nënkryetarëve nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.

“Ndonëse masa e përkohshme deri më 30 shtator 2025, nuk paragjykon në asnjë mënyrë meritat e kërkesës, megjithatë gjasat janë reale që kjo kërkesë të pranohet dhe të konstatohet se zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë ishte jo kushtetuese”, tha ai.

Ai ka theksuar se procedurat strikte të vendosura më 8 prill duhet të zbatoheshin jo vetëm nga Kryesuesi i seancës Dehari, por edhe nga Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Avokati Bajraktari është shprehur se pret që Gjykata Kushtetuese ta publikojë vendimin para datës 30 shtator, ndonëse ligjërisht ka afat deri në 60 ditë nga dita e parashtrimit të çështjes.

“Kjo për faktin se Gjykata Kushtetuese tashme e ka normuar praktiken parlamentare me rastin e konsituimit të Kuvendit, praktikë e cila është ndryshe nga që është vepruar në rastin konkret. Po ashtu duhet pasur parasysh se detyrimeve për zbatimin e procedurës strikte të vendosur më 8 prill, duhet të zbatoheshin jo vetëm nga Kryesuesi Dehari, por edhe nga Kryetari Basha. Besoj që Gjykata do ta bëjë publik vendimin para datës 30 shtator, ndonëse ka afat deri në 60 ditë nga dita e parashtrimit të çështjes në Gjykatë, por këtë afat e ka vendosë vet lidhur me masën e përkohshme”, përfundoi ai për GazetaBlic.