Lajme

Cfarë pritet të ndodhë pas datës 30 shtator?- Të gjithë ‘sytë’ nga Gjykata Kushtetuese!

09/25/2025 12:25
nga:Y I

Pas ngërçit politik disa-mujor u arrit të zgjedhet kryetari i Kuvendit me votat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës por jo konstituimi i plotë i këtij institucioni.

Çështja mbeti pezull tek zgjidhja e nënkryetarit nga komuniteti serb për çka Lista Serbe ju drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Pas kësaj Gjykata Kushteuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kjo masë është në fuqi nga data 5 deri me 30 shtator.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u kritikua nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Ata e cilësuan vendimin e Kushtetueses si të njëanshëm.

“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, shkroi LVV në një reagim në Facebook.

Drejori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, duke folur për këtë çështje për “Gazeta Blic” tha se nëse ‘merren për bazë Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 dhe 2025, standartin që është ndërtuar në 11 vitet e fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese mund të kërkoj kthimin e votimit në pako për dy nënkryetarët e komuniteteve jo-shumicë’.

Ai tha se në këto ditë kur pritet të marrë vendim GJK-ja është më rëndësi që të ndalen presionet dhe ndërhyrjet e papërshtatshme ndaj gjyqtarëvë të Gjykatës Kushtetuese.

“Sikurse, IKD në vazhdimësi e ka potencuar se kriza lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë as kushtetuese dhe as juridike por politike, në mungesë të vullnetit politik në rradhë të parë të partisë fituese për të konstituar Kuvendin dhe për të i hapur rrugë formimit të qeverisë. Në këtë fazë kur në ditet në vazhdim që pritet të vendos GJK është më rëndësi që të ndalen presionet dhe ndërhyrjet e papërshtatshme ndaj gjyqtarëvë të Gjykatës Kushtetuese dhe partitë politike pa dallim të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke përmbushur respektuar parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore” tha Miftaraj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Edhe pak ditë na ndajnë nga vendimi që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese dhe e gjithë vëmendja e qyetarëve dhe opinionit public është drejtuar nga kjo gjykatë.

Se cila do të jetë zgjidhja e kësaj çështjeje pritet të shihet në ditët në vijim, nëse do të kemi formim të institucioneve, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja apo ndonjë skenar tjetër.

Video e plotë: