Lajme

Hadergjonaj godet Ramiz Lladrovcin: Ku ishte ti Ramiz kur PDK përballej me presion dhe i rrezikohej ekzistenca në Deçan? Në AAK!

09/24/2025 16:29
nga:Sh R

Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Safete Hadergjonaj, ka reaguar ashpër ndaj Ramiz Lladrovcit, duke e akuzuar se në periudhat më të vështira për PDK-në në Deçan ai ka zgjedhur të jetë pjesë e AAK-së, partisë që sipas saj ushtronte presione të vazhdueshme ndaj strukturave të PDK-së në këtë komunë.

Në reagimin e saj publik, Hadergjonaj e nis duke theksuar legjitimitetin e gjatë politik brenda PDK-së:

“Po, Ramiz, unë jam anëtarja e Kryesisë së PDK-së për 23 vite me radhë, sepse në çdo kuvend të partisë kam dalë një nga gratë më të votuara me votë të fshehtë të delegatëve të partisë nga e gjithë Kosova. Jam një nga anëtarët më të devotshëm që kam punuar dinjitetshëm në PDK që nga viti 1999, kur është themeluar partia.”

Por kritikat më të drejtpërdrejta i drejton pikërisht Ramiz Lladrovcit, të cilin e pyet publikisht se ku ishte në ato vite të presioneve të vazhdueshme që Dega e PDK-së në Deçan kishte nga AAK.

“Kur ne si degë jemi përballur e me çfarë nuk jemi përballur në një komunë tradicionale dhe bastion të një subjekti tjetër politik siç ishte AAK, ku ishe ti Ramiz??? Ishe pjesë e AAK, subjektit që në atë kohë ushtronte lloj-lloj presioni që mos të ketë PDK në Deçan. Por ne nuk jemi thy, sfidat i kemi shndërru në mundësi e vështirësitë në vullnet për punë.”

Duke folur për arritjet e degës së PDK-së në Deçan, Hadergjonaj shtoi se falë këtij kontributi partia arriti të kalojë kufijtë lokalë dhe të shndërrohet në një forcë shtetformuese:

“Unë ndihem mirë që bashkë me anëtarët tjerë të degës së PDK në Deçan, i kemi mundësuar PDK-së me pas shtrirje në krejt Kosovën e mos me qenë parti regjionale dhe kemi kontribuar që projektet zhvillimore për Komunën e Deçanit të trajtohen me prioritet kur kemi qeverisur me vendin për interes të qytetarëve të Deçanit. Punoj pa u lodhur edhe sot që PDK në këto zgjedhje lokale të kthejë traditen e fitoreve nëpër komuna sepse siç thoshte kryetari ynë i nderuar Kadri Veseli „Kur ndalet PDK ndalet Kosova“.

Na priftë e mbara #PDK191!”, shkroi ajo.