Lajme

Agron Kuçi fajëson Ruzhdi Shehun për stagnimin në Junik, paralajmëron kthesë me subvencione e turizëm

09/28/2025 16:53
nga:Genita C

Kandidati i AAK-së për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, ka akuzuar qeverisjen aktuale të komunës për stagnimin e përgjithshëm të zhvillimit, duke e cilësuar si jo profesionale dhe të përqendruar në interesa partiake.

Në një deklaratë për GazetaBlic, Kuqi vuri gishtin drejtues të qartë mbi kryetarin aktual, Ruzhdi Shehu, duke thënë se qeverisja e tij ka sjellë ngecje serioze në të gjitha segmentet jetike të komunës.

“Një stagnim i tillë ndodh për faktin se ka një qeverisje joprofesionale, jo punëtore, e cila në radhë të parë ka interesat partiake e jo të qytetarëve – dhe kjo shihet qartë në punësime, në qasje dhe në mungesën e vizionit,” deklaroi Kuçi.

Duke paraqitur planin e tij për zhvillimin e Junikut, Kuqi theksoi se një ndër projektet kryesore të qeverisjes së tij do të jetë subvencionimi i bizneseve të vogla dhe të mesme, me fokus në krijimin e vendeve të punës dhe mbështetjen e ekonomisë lokale.

Ai gjithashtu njoftoi se prioritet tjetër i rëndësishëm do të jetë zhvillimi i turizmit përmes hartimit të master planeve për turizmin rural, malor, sportiv dhe alpinik, duke theksuar potencialin që Juniku ka për t’u bërë një destinacion turistik në nivel kombëtar.

“Me rrugën që qeveria jonë e kishte lënë, tash është në përfundim e sipër. Parashihet që Juniku të vizitohet nga 100 mijë deri në 200 mijë vizitorë, qoftë të brendshëm apo të jashtëm,” tha ai.

Kuçi premton se me një qeverisje të përkushtuar dhe larg interesave të ngushta partiake, Juniku mund të kthehet në një qendër të zhvillimit ekonomik dhe turistik në rajon.