Lajme

Haziri i reagon Kurtit: Nuk janë dallime por janë kushtëzime – Pas BE-së, bomba më e madhe për Kosovën vjen nga SHBA

09/19/2025 15:03
nga:Sh R

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosvoës, Lutfi Haziri, i ka reaguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti i cili tha se Kosova nuk është prishur me Amerikën por kanë vetëm dallim dhe se opozita po stërzmadhon këtë çështje, raporton GazetaBlic.

Haziri në një prononcim për GazetaBlic, tha se këto nuk janë dallime por janë kushtëzime të cilat kanë suspenduar dialogun strategjik.

Ai thotë se tendenca mediale që ta manipulojë këtë raport të kushtëzuar që qeveria amerikane e ka me Kurtin dhe disa eksponent të qeverisë së tij, nuk e amneston, por e mira sipas Hazirit është që marrëdhëniet janë të paprekshme me popullin e Kosovës.

“Nuk janë dallime por janë kushtëzime. Kushtëzimi ka suspendu dialogun strategjik që ka fillu në fund të janarit të vitit 2025, fatkeqësist dhe me këtë konfirmim ne kemi marrë po ashtu edhe fondin e mileniumit në ndërkohë i cili po ashtu mund të rrezikohet nga masat për shkak të sjelljes së Kurtit. Tendenca mediale me manipulu këtë raport të kushtëzum që qeveria amerikane e ka me Kurtin dhe me disa eksponent të qeverisë së tij nuk e amneston, e mira e madhe është që marrdhëniet e pakushtëzume e të paprekshme janë me popullin e Kosovës, dhe ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të rujtjes së mardhënieve me qeverinë amerikane dhe të jemi falenderues dhe mirënjohës deri në fund për atë që kanë bërë tash e 35 vjet dhe 35 vjet e ardhshme do të zhvillohen edhe më shumë besoj”, tha Haziri.

Tutje ai shton se kjo është vetëm një episod i keq që Kurti ia ka sjell Kosovës, ku thotë se pas marrdhënieve të kushtëzume me BE, tani bomba më e madhe është nga Washingtoni.

“Kjo është vetëm një episod i keq që zoti Kurti ja ka sjell Kosovës, pas marrdhënieve të kushtëzume me BE me shtetet fqinje me shtetin shqiptar tash bomba më e madhe ka ardh nga Washingtoni fatkeqësisht”, përfundoi ai për GazetaBlic.