Pronarët e Atletico Madridit janë në bisedime të avancuara për të shitur shumicën e aksioneve të klubit te fondi amerikan i investimeve Apollo Global Management, raportoi Reuters, duke cituar tre burime të ndryshme pranë marrëveshjes.
Sipas njërit prej burimeve, Apollo mund të blejë disa nga aksionet e mbajtura nga CEO Miguel Angel Gil Marin dhe presidenti i bordit Enrique Cerezo.
Një burim i dytë tregon se kjo mund të bëhet duke blerë aksione që aktualisht zotërohen nga një fond tjetër investimi – Ares Management.
Burimi i tretë i Reuters pohon se ekziston mundësia që Apollo fillimisht të blejë një pjesë, por më pas ta rrisë atë në më shumë se 50 përqind.
Shtypi spanjoll vlerëson vlerën aktuale të Atletico Madrid në 2.5 miliardë euro.
Gil Marin, Cerezo dhe Ares Management së bashku zotërojnë 70 përqind të aksioneve të Atletico Madrid përmes kompanisë Atlético Olco.
30 përqindëshi i mbetur i aksioneve të “Los Colchoneros” është në pronësi të kompanisë Quantum Pacific.
Apollo menaxhon asete me vlerë mbi 800 miliardë dollarë dhe, sipas Financial Times, planifikon të investojë 5 miliardë dollarë në kompanitë sportive.
Tregu global i sporteve pritet të gjenerojë 115 miliardë dollarë në vitin 2025, dhe kjo shumë do të arrijë në 160 miliardë dollarë deri në vitin 2030.
/GazetaBlic Sport/


