Lega Calcio Serie A ka konfirmuar se edicioni i ardhshëm i Superkupës së Italisë do të zhvillohet sërish në kryeqytetin saudit, Riad.
Fillimisht ishte diskutuar qyteti i Xhedës, por ashtu si vitin e kaluar, organizimi do të mbahet në Riad.
Superkupa do të luhet me formatin e katër skuadrave. Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 18 dhe 19 dhjetor 2025, ndërsa finalja më 22 dhjetor.
Në këtë edicion do të marrin pjesë Napoli si kampion i Serie A, Bologna si fitues i Kupës së Italisë, Inter si nënkampion dhe Milan si finalist i Kupës.
Sipas shortit, më 18 dhjetor do të përballen Napoli dhe Milan, ndërsa një ditë më vonë Bologna do të luajë kundër Interit.
Fituesit e këtyre dy ndeshjeve do të përballen në finalen e madhe më 22 dhjetor.


