Tensionet politike midis Spanjës dhe Izraelit po kërcënojnë të përhapen edhe në fushën e futbollit.
Qeveria spanjolle ka lënë të kuptohet se ekipi kombëtar mund të bojkotojë Kupën e Botës 2026 nëse Izraeli kualifikohet për në këtë kompeticion, transmeton GazetaBlic Sport.
Deklarata erdhi nga Pachi Lopez, zëdhënës i grupit socialist në Kongresin e Deputetëve. Ai theksoi se Spanja do ta vlerësojë situatën në kohën e duhur, por qëndrimi i vendit është i qartë. Ky nuk është rasti i parë i tillë në të cilin sporti dhe kultura janë bërë një arenë mosmarrëveshjesh politike midis dy vendeve.
Përpara këtij incidenti, Spanja kishte kërcënuar se do të tërhiqej nga Festivali i Këngës në Eurovision nëse Izraeli do të lejohej të merrte pjesë. Përveç kësaj, pati incidente gjatë garës çikliste Vuelta a España ku përfshihej ekipi izraelit Izrael-Premier Tech.
“Do ta vlerësojmë situatën kur të vijë koha. Le të fillojnë disa njerëz të hapin sytë. Të tanët janë të hapur dhe nuk tolerojnë atë që shohin, kështu që nuk mund dhe nuk duam të heshtim”, tha Lopez, i cituar nga RMC Sport.
Kërcënimi për bojkot vjen ndërsa vazhdojnë ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës. Ekipi kombëtar izraelit është aktualisht në vendin e tretë në grupin e tij kualifikues, pas Norvegjisë dhe Italisë.
Edhe pse kualifikimi i tyre është i pasigurt, mundësia e pjesëmarrjes së Izraelit në Kupën e Botës ka shkaktuar një reagim të fortë nga politikanët spanjollë, të cilët shpresojnë të tërheqin vëmendjen ndërkombëtare ndaj veprimeve që i konsiderojnë të papranueshme.
/GazetaBlic Sport/


