Lajme

Gjykata Themelore rrëzon kërkesën e Odës së Fiziterapeutëve kundër Agjencisë së Akreditimit

09/17/2025 12:30
nga:G B

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka rrëzuar padinë e Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK) për masë të përkohshme kundër vendimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) për akreditimin e programit Fizioterapi dhe Rehabilitim në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

OFTK e kishte paditur AKA-në se ky program është akredituar duke shkelur bazën ligjore, por kërkesa për masë të përkohshme është rrëzuar nga Gjykata.

“Refuzohet si i pabazuar propozimi i paditëses/propozueses Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK), kundër të paditurit/kundërpropozuesit Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe palës me interes Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Mjekësisë, me të cilin është kërkuar caktimi i masës së sigurisë dhe pezullimi i të gjitha veprimeve administrative dhe aktiviteteve didaktike e mësimore të vitit të parë të programit të studentëve në Fizioterapi dhe Rehabilitim, BSc 240 ECTS, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të nënshkruar nga gjykatësi Kreshnik Kaçiu.

Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK) ka paraqitur kërkesë në Gjykatë, me të cilën ka propozuar caktimin e masës së sigurisë – pezullimin e veprimeve administrative dhe të gjitha aktiviteteve mësimore të vitit të parë të studentëve në programin Fizioterapi dhe Rehabilitim të Fakultetit të Mjekësisë, duke pretenduar se është cenuar interesi publik dhe se ekziston rreziku i shkaktimit të dëmit të pariparueshëm.

Gjykata, pas shqyrtimit të parashtresave dhe provave të dorëzuara, konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurisë, ngase pretendimet e paditëses nuk e dëshmojnë domosdoshmërinë e pezullimit të veprimeve administrative dhe aktiviteteve mësimore, ndërsa procesi gjyqësor duhet të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.