Pavarësisht faktit që Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtën e barabartë në trashëgimi dhe pronësi për të gjithë personat fizikë, gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me barriera në këtë aspekt, raporton GazetaBlic.
Të paktën kështu lë të nënkuptohet shifra e ulët e numrit te grave me pronë, të dhëna këto të deklaruara në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Sipas AKK-së, janë gjithësej 498,123 (77,45%), prona me pronar meshkuj, ndërsa 132,721 prona në emër të grave, që rrjedhimisht i bie 20,64%.

Në anën tjetër, sipas Nenit 7, pika 2, Kushtetuta e Republikës së Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.

Megjithatë, situata në terren duket se është larg këtij parimi kushtetues.
Avokati i popullit, Naim Qelaj, në një prononcim për Gazeta Blic, theksoi se përkundër masave lehtësuese për regjistrimin e grave si pronare – përfshirë lirimin nga disa taksa dhe fushata vetëdijësuese – numri i grave që janë të regjistruara si pronare të pasurive të paluajtshme mbetet nën 20%, siç thotë ai sipas raporteve të organizatave të shoqërisë civile.
“Por, ajo që është raportuar nga raporte të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile, del se janë më pak se 20 për qind pronarë të regjistruar si gra. Kjo tregon problemet që sot shoqëria jonë i ka në raport me qasjen në prona, në raport me barazinë gjinore ose me të drejtën e grave në prona”, u shpreh Qelaj.
Ai shtoi se problemi nuk qëndron vetëm në regjistrimin e pronës, por në vetë mënyrën se si shoqëria e trajton të drejtën e grave për të qenë pronare.
Sipas tij, praktika e regjistrimit të pasurisë së përbashkët vetëm në emër të burrit është tashme praktikë e zakonshme në Kosovë, edhe pse ligji e njeh të drejtën e bashkëpronësisë për bashkëshortët kur pasuria krijohet gjatë martesës.
“Konsideroj se edhe më tej shoqëria e Kosovës përballet me diskriminim të grave në raport me të drejtat pronësore dhe kryesisht, në të gjitha format që fitohet kjo e drejtë pronësore. Pronat, është e zakonshme kur fitohen në martesë të regjistrohen në emër të burrit, edhe pse ligji e njeh të drejtën e bashkëshortes që me automatizëm të jetë pronare kur pasuria krijohet gjatë martesës”, u shpreh tutje avokati.
Gjithashtu, avokati shtoi se shumë gra në Kosovë heqin dorë nga trashëgimia apo përjashtohen nga ajo për shkak të boshllëqeve ligjore dhe administrative, që shpesh përdoren për të anashkaluar të drejtat e tyre.
“Shpeshherë kjo pasuri ndahet për së gjalli të pronarit, vetëm në mes të djemve, duke i lënë anash gratë dhe kjo patjetër që më vonë paraqet dhe ndërhyn në përqindjen që gratë kanë prona të regjistruara në emër të tyre”, vlerësoi ai.
Sa i përket dallimeve ndërmjet zonave urbane dhe rurale, ai tha se diskriminimi gjinor në pronë është i pranishëm në të gjithë territorin e Kosovës, edhe pse në zona urbane thotë ai situata duket të jetë më e mirë.
“Nuk kemi të dhëna të ndara sipas zonave, por në fakt situata nuk është e mirë askund në Kosovë,” përfundoi ai.
Ndërkaq, sociologia Edona Shala, lidhur me këtë çështje, në një prononcim për Gazeta Blic tha se prona nuk është vetëm e drejtë ligjore, sipas saj prona është pushtet dhe formë e lirisë ekonomike, nga të cilat gratë në Kosovë përjashtohen sistematikisht.
“Në Kosovë, prona ende shihet si privilegj i burrave, ndërsa gratë mbeten të përjashtuara nga vendimmarrja dhe të varura ekonomikisht. Kjo është pasojë e një mentaliteti patriarkal të thellë dhe një sistemi ekonomik ku prona përkthehet në pushtet”, thotë Shala.
Ajo nënvizon se kur grave u mohohet prona, ato privohen nga liria e tyre ekonomike dhe mbetën të ekspozuara ndaj formave të tjera të pabarazisë.
“Prona është burim i lirisë ekonomike, prandaj kontrolli mbi të përkthehet në kontroll mbi jetën e grave. Kur gratë privohen nga prona, ato mbeten më të varura dhe më të ekspozuara ndaj pabarazive të tjera”, thekson sociologia.
Kjo pabarazi, sipas saj, nuk është uniformë, por ndryshon në varësi të vendbanimit, klasës sociale dhe qasjes në arsim.
“Kjo prek ndryshe gratë urbane e të arsimuara, ndryshe gratë në zona rurale, ku gratë përjashtohen pothuajse totalisht nga prona. Në qytete ekziston më shumë mundësi, por barriera mbeten, sidomos për gratë me më pak resurse”, shton ajo.
Sipas Shalës, gratë që kërkojnë të drejtën e tyre në pronë shpesh përballen me presion të madh shoqëror dhe stigmatizim, poashtu të njejtët sipas saj konsidërohen “kërcënim” për traditat.
“Po, ky stigmatizim është i pranishëm dhe përforcohet nga sistemi ku familja, shoqëria dhe ligji shpesh ndërveprojnë për të heshtur gruan. Një grua që kërkon trashëgiminë shihet si kërcënim ndaj rendit tradicional, por edhe si sfidë ndaj strukturave ekonomike ku burri konsiderohet pronari kryesor”, thotë ajo.
E në fund, Shala shton se arsimimi është ndër faktorët kryesorë që ndihmon në fuqizimin e grave dhe rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat pronësore.
“Arsimimi është një nga faktorët më të fuqishëm për ta sfiduar këtë pabarazi. Ai u jep grave gjuhën për të kërkuar të drejtat e tyre dhe besimin për të mos pranuar heqjen dorë nga prona”, thekson ajo.
Megjithatë, Shala paralajmëron se arsimimi duhet të shoqërohet me mundësi reale ekonomike për të pasur ndikim të qëndrueshëm. /GazetaBlic/


