Sporti

Simeone flet para përballjes me Liverpool: Do të jetë shumë e vështirë

09/17/2025 09:27
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka folur para ndeshjes hapëse të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpool-it në “Anfield”.

Argjentinasi rikujtoi fitoren e fundit kundër kampionëve anglezë, por theksoi se kjo sfidë do të jetë edhe më e vështirë.

“Është gjithmonë emocionuese të përballesh me një kundërshtar të tillë, me një stadium dhe atmosferë fantastike. Liverpool ka një trajner që i ka udhëhequr në nivelet më të larta dhe do të jetë shumë e vështirë. Ne do të përpiqemi t’i dëmtojmë dhe ta çojmë ndeshjen aty ku na përshtatet më mirë,” tha Simeone.

Sa i përket mungesave në skuadër, trajneri i Atletico-s theksoi se ato janë pjesë e futbollit.

“Nuk janë asnjëherë pozitive, por ne jemi të fokusuar te ata që do të luajnë. Në fund, është njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë”, pohoi ai.

Simeone pranoi forcën e Liverpool-it, duke veçuar shpejtësinë në tranzicione dhe lojën vertikale të anglezëve, por u shpreh i bindur se ekipi i tij është gati për sfidën.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne do të përpiqemi ta menaxhojmë sipas mënyrës sonë”, përfundoi Simeone.