Lajme

Xhafer Tahiri irriton veteranët me propozimin për roje nëpër shkolla!

09/15/2025 20:21
nga:Genita C

Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka bërë një deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta nga veteranët e UÇK-së, raporton GazetaBlic.

Ai ka thënë se do të bashkëpunojë me Shoqatën e Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe ish-pjesëtarët e FSK-së, duke shtuar se, për shkak të pensioneve, mund të angazhohen në sigurimin e shkollave, përkrah policisë së Kosovës.

“Do t’i angazhojmë këta njerëz krahas policisë së Kosovës për siguri në shkolla”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se ata janë të aftë për këtë detyrë, pasi “dalin në pension më herët se të tjerët”.

Kjo deklaratë ka shkaktuar zemërim tek veteranët, të cilët e kanë cilësuar si ofenduese dhe e kanë kundërshtuar këtë mënyrë të trajtimit të sakrificës së tyre.

Shaip Hyseni, sekretar i OVL të UÇK-së në Vushtrri, ka reaguar duke theksuar se lufta e veteranëve ka kontribuar për formimin e institucioneve të shtetit, dhe se ata nuk duhet të konsiderohen si “rezervë” për punët e sigurisë.

Hyseni ka thënë se kanë marrë shumë ankesa nga veteranët të cilët e kanë cilësuar këtë deklaratë si një ofendim ndaj kontributit të tyre në luftën çlirimtare.