Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se Kosova ka hyrë në një qorrsokak sa i përket krijimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa sipas tij ‘kryesisht udhërrëfyes janë inatet’.
“Ne duhet ta kuptojmë ABC e demokracisë. Një individ që është kryetar partie apo koalicioni që i ka fituar 42%, e që në rast se e përkthejmë në nivel të shumicës shqiptare është afër 50%, nuk mund të mënjanohet. Kjo bllokada që nuk duam bashkëpunim, nuk duam partneritet dhe njëkohësisht edhe refuzimi me marrë përgjegjësi. Është e qartë kjo, LDK i ka ik përgjegjësisë, nuk po e akuzoj PDK-në sepse s’kanë pasur ofertë. Nuk mund edhe t’i ikësh përgjegjësisë edhe të pretendosh se po bën bllokadë institucionale”, ka thënë Peci.
Ai ka thënë se emri i Dimal Bashës me renditje të propozimit të emrave ka shkuar mbi bazën e kompromiseve që ka bërë koalicioni fitues, duke hequr dorë emër pas emri për shkak të mos votimit.
“Erdhi Dimal Basha, ka mundur të jetë kushdo tjetër. E kemi diskutuar emrin e tij dhe e kemi pasur opsion. Përderisa ne nuk e kemi pasur qasjen rigjile, në vazhdimësi presioni i medieve ka qenë që të ketë lëvizje nga njëra anë. Ne kemi bërë pesë herë lëvizje në aspektin e emrave dhe kemi bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje. Unë mendoj që qytetari në politikë s’ta vlerëson veç rezultatin, por edhe përpjekjen. Është diskutuar gjerë e gjatë Dimal Basha, ka pasur pajtueshmëri dhe është thënë se të shkojmë me emrin e një deputeti aktiv që meqenëse opozita nuk po na pëlqejnë asnjërin nga ne, posaçërisht ne që jemi ministra, atëherë kemi thënë shkojmë me Bashën”, ka thënë Peci.


