Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shpenzuar rreth 360 mijë euro në një tender që ka për synim rritjen e sigurisë në Burgun e Gjilanit, qelitë e të cilit i ka marrë me qira për dhjetë vjet Danimarka, teksa të burgosurit e parë pritet të arrijnë në Kosovë pas dy vitesh.
Përmes tenderit të ndarë në katër pjesë, SHKK ka blerë Skaner X Ray DV për skanimin e të gjitha pakove që arrijnë në këtë burg, detektor dore statik, detektor për kontroll mobile si dhe detektor për zbulimin e kontrabandës së telefonave mobil.
Vlera e kontratës për skanerët është 121 mijë e 985 euro dhe me të është shpërblyer kompania “Tetroniks L.L.C”.
Për detektorët e dorës statik, SHKK ka paguar 67 mijë euro, teksa furnizimin do ta kryej grupi i operatorëve ekonomik “NOVUS SH.P.K SCANTECH GROUP L.L.C”.
45 mijë euro kanë kushtuar detektorët për kontroll mobile, me të cilën kontratë është shpërblyer kompania e njëjtë si për ata statik.
Ky grup i operatorëve ekonomik do të kryej edhe furnizimin me detektor për zbulimin e kontrabandës së telefonave mobil, me çmim prej 124 mijë e 998 euro.
Në total, ky konsorcium është shpërblyer me kontrata në vlerë rreth 237 mijë euro.
Grupi i parë i të burgosurve nga ky shtet pritet të arrijë në Kosovë pas dy vitesh.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka deklaruar muaj më parë se ata pritet të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prillin e 2027-s.
Ky transferim është pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.
Në këmbim, Kosova do të përfitoj mbi 200 milionë euro.
Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vite pasi ajo ishte nënshkruar.


