Lajme

“Kurti s’ka bërë reforma, diplomacia ka dështuar, dialogu ka sjellë regres dhe UÇK-në po e përdor vetëm për interesa elektorale”

09/08/2025 22:13
nga:N K

Arton Demhasaj, njohës i çështjeve politike, në një intervistë për GazetaBlic tha se Kurti po mundohet të ndërtojë një kauzë të re në prag të zgjedhjeve, pasi sipas tij nuk ka çfarë të tregojë për shëndetësi, arsim e edukim sepse ka pasur 5 vite pushtet dhe mundësi për t’i realizuar ato.

“Është një kauzë e re që po mundohet me ndërtu, se jemi në prag të zgjedhjeve, përndryshe nuk ka çka flet as për shëndetësi, as për edukim dhe arsim, për faktin se që 5 vjet është në pushtet. Nëse e ka pasë seriozisht për me bë reforma, me bo ndryshime në këto digastere, e ka pasë pushtetin që 5 vite dhe e ka pasë mundësinë me i bo gjërat, por nuk i ka bë. Dhe tash atë çka e deklaron, e ka për konsum ditor dhe normalisht për me i mbajtë militantët e tyre të angazhuar dhe mos me i lejua me ikë te partitë tjera politike. Përndryshe, nuk ka asnjë arsyetim me qenë në pushtet 5 vite e mos me bë asnjë ndryshim”, tha ai për GazetaBlic.

Sipas Demhasajt, digasteri më i dështuar në qeverisjen Kurti 2 ka qenë diplomacia. Ai thekson se Kosova nuk ka pasur njohje të reja, nuk është avancuar në proceset euroatlantike dhe nuk është anëtarësuar në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë.

“Mendoj që digasteri më i dështuar në qeverisjen e Albin Kurtit, flasim për qeverisjen Kurti 2, është pjesa e diplomacisë, për shkak se as nuk kemi pasë njohje të reja, as nuk kemi pasë avancim të pozitës së Kosovës në aspektin e integrimeve euroatlantike, as nuk kemi pasë anëtarësim të Kosovës në ndonjë mekanizëm të rëndësishëm kosovar. Ky digaster ka qenë i dështuar. Sa i përket dialogut, jo vetëm që s’kemi pasë progres, por kemi pasë edhe regres, sepse marrëveshja e nënshkruar apo e dakorduar në Bruksel dhe pastaj në aneks të Ohrit, thjeshtë e ka zhytë Kosovën në telashe edhe më të mëdha, për shkak se nga një ide e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka kalua në asociacion të serbëve. E ka ngushtua edhe ma shumë hapësirën, që vetëm serbët me pasë të drejtën e asociacionit, që dmth një lloj autonomie”, vlerësoi analisti.

Tutje, Demhasaj shtoi se Kurti se nuk ka ndërmarrë asnjë hap serioz për të mbrojtur UÇK-në në proceset që po zhvillohen në Hagë. Sipas tij, qeveria ka pasur kapacitet financiar dhe politik për të kontribuar, por UÇK-në e ka përdorur vetëm për interesa elektorale.

“Jo vetëm që s’ka marrë asnjë veprim, por të paktën as nuk ka shpenzua një përqindje shumë të vogël të energjisë së tij me folë të paktën për këtë proces, që UÇK-ja është e pafajshme. Dhe ajo çka po ndodhë në Hagë është padrejtësia ma e madhe që po i bëhet edhe Kosovës, por njëkohësisht edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por ky UÇK-në e përdorë vetëm kur ka interes thjeshtë elektoral. Përndryshe, mendoj që qeveria ish dashtë me japë shumë ma shumë kontribut, sepse ka pasë mundësi me ndal procese, me pengu procese që po ndodhin atje, në kundërshtim dhe një lloj padrejtësie që po u bëhet Kosovës dhe vet figurave kyçe të UÇK-së. Të paktën financiarisht, ka pasë kapacitet qeveria të ndihmojë”, tha ai për GazetaBlic.