Policia e Kosovës sot shënon 26-vjetorin e themelimit, një institucion që prej pasluftës është bërë shtylla kryesore e rendit dhe sigurisë në vend.
Por përtej ceremonive dhe fjalimeve solemne, brenda uniformës blu vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura një varg problemesh të mëdha që prekin jetën e përditshme të policëve.
Hysen Berisha, ish- anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në një intervistë për GazetaBlic, tha se institucioni i Policisë duhet të mbrohet dhe të ketë përkujdesjen që meriton, duke nënvizuar rëndësinë e sigurisë dhe mbështetjes për policët
“Policia e Kosovës është segmenti i parë institucional dhe i shtetësisë së Kosovës që u krijua pas lufte. Pas atij shkatërrimi që u përjetua dhe është krijuar në asistencën e drejtpërdrejte të aleatëve ndërkombëtare të cilët kanë qenë prezent e kanë për formua mirë. Është krijua një strukturë që ka fituar besimin e tërë popullit ka qenë gjithmonë në ballë të ruajtjes së rendit dhe ligjit”, tha ai për GazetaBlic.
Tutje, Berisha thotë se Policia e Kosovës duhet të jetë institucion i pa ndikuar në aspektin politik dhe partiak.
“Policia e Kosovës duhet jetë institucion i pandikuar në aspektin politik dhe partiak. Duhet të jetë një institucion që e që duhet ti shërbejë vetëm në shërbim të vendit, ligjeve dhe kushtetutshmërisë. Luftës për paqe dhe luftimit te të gjitha dukurive negative që janë në shoqëri dhe nuk guxon të instrumentalizohet dhe ne duhet ta ruajmë si një aset kombëtarë siç e kemi”, u shpreh ai.
Veç, kësaj ai thotë se policia po përballet me probleme të shumta si paga të ulëta, orë të gjata pune, mungesë e sigurimit shëndetësor dhe jetësor, si dhe kushte të vështira në terren.
Sipas Berishës ky është një problem i shkaktuar nga mos-kujdesi i qeverisë së Kosovës.
“ Përballja me sfidat e uniformës dhe pajisjet personale nuk është e ndershme nuk është motivuese për Policinë, kjo është një hendek që ka krijua mos kujdesi politik e qeveritar ndaj këtij institucioni. Këta nuk guxojnë të jenë viktima të përplasjeve partiake” tha ai. /GazetaBlic/


