Sporti

Ka luajtur në Zvicër, Kryeziu optimist: Kam besim se Kosova do të fitojë në Basel, duhet të respektohet zgjedhja e Avdullahut

09/04/2025 11:01
nga:Mergim Rreci

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026 kundër Zvicrës, më 5 shtator, në stadiumin “St. Jakob Park” të Baselit.

‘Dardanët’ synojnë nisje të mbarë dhe pozitive, duke arritur një rezultat pozitiv në tokën zvicerane, gjë që do të ishte një lajm shumë i mirë dhe një motiv për ndeshjen tjetër ndaj Suedisë.

Sulmuesi i Prishtinës, Leotrim Kryeziu ka luajtur më parë në Zvicër dhe tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se kemi të bëjmë me një përfaqësuese shumë të fortë. Megjithatë, ai u deklarua optimist, duke thënë se ka besim se Kosova do ta fitojë këtë ndeshje.

“Normalisht, do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse luajmë kundër një përfaqësuese shumë të fortë. Por në futboll mund të ndodhin befasi, dhe unë kam besim se do ta fitojmë këtë ndeshje. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë, por gjithçka është e mundur“, tha fillimisht, Kryeziu.

Tutje, ai komentoi edhe vendimin e Leon Avdullahut për të luajtur për Kosovën, ku tha se pret që të respektohet edhe nga ana e tifozëve zviceranë.

“Sa i përket Leon Avdullahut, tifozët në Zvicër zakonisht e respektojnë vendimin e lojtarëve dhe shpresoj që ta pranojnë se zgjedhjen e tij”, përfundoi Kryeziu.

/GazetaBlic Sport/