Lajme

“Kuvendi nuk është konstituuar”/ Avokati Musa për formimin e Qeverisë: Presidentja të mos bie nën diktatin e VV-së

09/04/2025 10:54
nga:G B

Avokati Skender Musa, thotë se Kuvendi nuk është konstituuar, derisa nuk janë zgjedhur të gjithë nënkryetarët e Kuvendit.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se e gjithë ndarja e tyre nga votimi në pako është bërë për zvarritje dhe qëllime politike.

“Mendoj që nuk është kuvendi i konstituuar sepse kjo bëhet kur zgjedhet kryetari dhe kryesia, nënkryetarët. Ka qenë praktikë në bazë të rregullores së kuvendit që të zgjedhen në pako por ndarja u bë për qëllime politike, për të marrë poena politik pasi po shihet se nuk i kanë numrat as partia që ka dalë e para në zgjedhje e as partitë tjera, për t’i formuar institucionet dhe zvarritja nuk e di sa iu shkon për shtati sepse nuk merrem me politikë por qëllimi ka qenë që të zvarritet çështja”, shprehet ai.

Lidhur me vendimin që pritet nga Kushtetuesja, ai tha se s’duhet paragjykuar por që pritet të kthejë në pikën zero votimin e nënkryetarëve.

“Sa i përket vendimit të Kushtetueses, nuk duhet të paragjykojmë se çka do të vendosë, mirëpo në bazë të rrjedhave dhe praktikave të deritashme të Kuvendit të Kosovës, vendimi pritet që të jetë në favor të partisë që e ka dërguar çështjen. Mendoj se e gjithë kjo është zvarritje në aspektin politik dhe nuk ka asgjë juridike sepse në aspektin juridik gjërat janë të qarta”, vlerëson Musa për Gazeta Blic.

Avokati thekson se Kushtetuesja nuk duhet t’u lë hapësirë për interpretim të Kushtetutës por të jetë e qartë, në mënyrë që të mos luhet siç po luhet me çështje teknike.

“Unë do të prisja që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë më i qartë dhe të mos i lë fare mundësi për interpretim të Kushtetutës, që të jetë e qartë, t’ua bëjë me dije se nënkryetarët votohen në pako, madje do të kishte qenë më mirë që të bëhej një zgjidhje që të gjithë nënkryetarët të të gjitha partive edhe shqiptare edhe joshumicë të votohen në pako, në mënyrë që të mos ketë mundësi që të luhet siç është duke u luajtur tash me çështje teknike, duke u thirrur në dispozita ligjore vazhdimisht për interesa të ngushta të individëve të caktuar apo të partive politike të caktuara”, potencon ai.

Sa i përket formimit të Qeverisë, Musa thotë se mund të përsëritet rasti si me Qeverinë Hoti.

“E dini edhe në qeverinë e Avdullah Hotit ka qenë një deputet që e ka marrë mandatin në mënyrë të paligjshme pasi ka qenë i dënuar dhe qeveria ka dhënë dorëheqje. E njëjta mund të përsëritet edhe nëse shkohet në këtë formë me formimin e qeverisë”, thotë ai.

Avokati beson se Presidentja duhet ta luajë rolin kushtetues që ka dhe të mos e shkelë aty, të mos bie nën diktatin e një partie që ka fituar zgjedhjet.

“Unë besoj se presidenca ka jurist që analizon në aspektin profesional, besoj që edhe presidentja ta luajë rolin që e ka me Kushtetutë, të jetë unike, të jetë e paanshme dhe jo nën diktatin e një partie që ka fituar zgjedhjet dhe të mos lëshohet në shkelje të dispozitave kushtetuese e as të rregulloreve të Kuvendit por ta ruajë neutralitetin dhe të kërkojë që të paktën të pritet derisa të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese që të mos kemi ndonjë shkelje të dispozitave kushtetuese për shkak se edhe dy presidentë të Kosovës kanë dhënë dorëheqje për shkak se kanë rënë ndesh me dispozitat kushtetuese. Si jurist pres që ajo t’i përmbahet Kushtetutës dhe ta pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese, afatet janë shkelur, s’ka ndodhur në Kosovë që të zgjasë kaq shumë formimi i qeverisë ndonjëherë”, deklaroi avokati Skender Musa./Gazeta Blic/