Lajme

Safet Gërxhaliu: Kosova është në një krizë ekonomike, e cila po shkon duke u rritur

09/03/2025 16:08
nga:N K

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve, pagat e ulëta të punëtorëve nuk arrijnë t’i mbulojnë ato, duke e vështirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me këtë, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në Kosovë ekziston një agjendë politike që po e ngulfat ekonominë.

“Duke u bazuar në faktin se Kosova është shndërruar në një shoqëri të varur nga importi, më tepër kemi import të mallrave dhe shërbimeve; kësisoj, gjenerojmë apo importojmë edhe inflacion të heshtur. Inflacioni, i cili çdo ditë po ndikon në ngritjen e çmimeve, veçanërisht të produkteve bazike apo esenciale. Shumë nga diaspora, kur vijnë në Kosovë, çuditen me këto çmime, të cilat në raste të caktuara janë më të larta sesa në Austri, Gjermani apo Itali – dhe kjo është me të vërtetë mjaft sfiduese”.

“Vetë fakti që kemi një agjendë politike që po e ngulfat ekonominë është arsyeja e parë. Në rend të dytë, kemi një qasje anti-ekonomike, anti-prodhim, dhe kësaj i shtohet edhe fakti se ka ngritje të çmimit të energjisë elektrike. Nga Kosova, përveç qytetarëve, po ikin edhe kapitali dhe procesi i prodhimit, i cili po bartet në rajon. Besoj që kjo është një situatë dhe rrethanë mjaft shqetësuese,” – deklaroi ai.

Më tej, Gërxhaliu thekson se inflacioni prej 4.3% është tregues i qartë i situatës aktuale në të cilën ndodhet Kosova.

“Kur kemi parasysh faktin që pagat, qoftë në sektorin publik apo privat, janë pothuajse të njëjta, kjo e vështirëson ndjeshëm jetën dhe standardin e qytetarëve. Për shkak të inflacionit, atë që e kemi blerë në vitin 2022 me 100 euro, sot e paguajmë me 160 euro. Dhe kur kësaj i shtohet edhe inflacioni prej 4.3% në muajt qershor apo korrik 2025, kjo e dëshmon më së miri realitetin e rëndë ekonomik në vend.Vendet e rajonit kanë identifikuar produktet bazike – për shembull, kanë ulje të TVSH-së në mbi 1000 produkte esenciale ose kanë ndërmarrë subvencionime nga shteti me kusht që të mos goditet qytetari. Sepse një rritje permanente e çmimeve, e shoqëruar me rritje të pagave, vetëm sa po e thellon varfërinë ekstreme në Kosovë,” – u shpreh ai.

Sipas Gërxhaliut, Kosova është në një krizë ekonomike dhe sociale që po thellohet çdo ditë.

“Një indikator ekonomik që po anashkalohet për t’u analizuar, jo vetëm nga Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe nga institucionet vendore, është koha. Duhet me të vërtetë të bëhet një analizë më konkrete në këtë drejtim dhe për ekonominë të flasin ekspertët e fushës, jo gjithmonë politika.Definitivisht, Kosova është në një krizë sociale, e cila vetëm po rritet. Lind pyetja: Po të mos e kishte Kosova diasporën, cili do të ishte niveli ekonomik dhe social i vendit?Prandaj, ka ardhur koha që për ekonominë të veprohet më shumë sesa të flitet. Dhe nëse flasim për ekonomi, partneri kryesor për qëndrueshmëri ekonomike dhe sociale duhet të jetë sektori privat, jo vetëm politika,” – përfundoi ai. /Gazeta Blic/