Lajme

Katër raste të dhunës në familje u raportuan gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

09/03/2025 10:55
nga:N K

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Gjakovë dhe Skenderaj. Një i dyshuar u dërgua në mbajtje.

Lidhur me rastin e parë në Prishtinë, sipas raportit 24 orësh të Policisë, një burrë ka raportuar se një grua ka ushtruar dhunë ndaj tij.

“Prishtinë /31.08.2025-NN. Me 02.09.2025 viktima mashkull kosovar ka raportuar se me datën e lartcekur e dyshuara femër kosovare ka ushtruar dhunë ndaj tij. E dyshuara është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

E në rastin e dytë në Prishtinë, një person u arrestua nën dyshimin se sulmoi një grua.

“Prishtinë/ 02.09.2025-20:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se e ka sulmuar viktimën femër kosovare. I dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Në Gjakovë një grua ka raportuar se është kanosur nga një burrë. Rasti nën hetime.

“Gjakovë / 02.09.2025-23:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kanosur verbalisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori dhe po hetohet nga ekipet relevante policore”, thuhet në njoftim.

Kurse, në Skenderaj një burrë ka raportuar një grua për ushtrim të dhunës psikike dhe fizike ndaj tij.

“Skenderaj / 01.09.2025. Ankuesi mashkull kosovar me 02.09.2025 ka raportuar se e dyshuara femër kosovare vazhdimisht ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj tij. Palët janë intervistuar dhe pastaj në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.