Sporti

Shumica e lojtarëve të Zvicrës janë në top formë, kështu qëndron situata e kundërshtarëve para ndeshjes me Kosovën

09/02/2025 16:59
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës e fillon fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 këtë javë në duelin ndaj Zvicrës në Basel.

Zvicra dhe Kosova ballafaqohen të premten me fillim nga ora 20:45, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, shkruan GazetaBlic Sport.

Si qëndron situata tek kundërshtarët tanë?

“Këto janë ndeshje të rëndësishme, pritjet janë të larta, por ne mund ta përballojmë stresin”, thotë Pierluigi Tami, drejtori aktual i ekipit kombëtar të Zvicrës.

Drejtori i ekipit kombëtar shpreson të fitojë grupin, por gjithashtu thekson se Zvicra mund të kualifikohet edhe për finalet e vitit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë nëpërmjet playoff-eve si e dyta në grup.

Lojtarë kyç si Akanji dhe Embolo nënshkruan kontrata të reja pak para afatit të fundit.

Akanji kaloi tek Interi, kurse Embolo tek Rennes në Francë.

Dan Ndoye, është ambientuar mirë në Angli. Pasi u transferua nga Bologna te Nottingham Forest, anësori shënoi një gol të mrekullueshëm në paraqitjen e tij të parë. Një javë më vonë, lojtari bëri një tjetër asist.

Michel Aebischer, nuk ishte i vetmi që u largua nga fituesit e Kupës së Italisë, Bologna, këtë verë. Michel Aebischer gjithashtu gjeti një ekip të ri (përkohësisht) dhe u huazua te ekipi i ri i Serie A, Pisa. Ai është tashmë një titullar i rregullt për klubin toskan.

Cedric Itten, u transferua nga Young Boys te Fortuna Düsseldorf në Bundesligën e Dytë gjatë verës dhe pati një nisje perfekte. Itten ka shënuar tashmë tre gola në pesë paraqitje, duke fituar thirrjen e tij të parë në ekipin kombëtar në pothuajse dy vjet, raporton Watson, përcjell GazetaBlic Sport.

Fabian Rieder, është rikthyer në Bundesligë. FC Augsburg siguroi shërbimet e mesfushorit këtë fundjavë.

Isak Shmidt, javën e kaluar, 25-vjeçari iu bashkua klubit të Bundesligës, Werder Bremen. Kundër Bayer Leverkusen, Schmidt shënoi pesë minuta pasi hyri si zëvendësues për ta bërë rezultatin 3-2 – me dhjetë lojtarë.

Ricardo Rodriguez, edhe pse zhvilloi bisedime me FC Sion, lojtari mbeti te Real Betis. 33-vjeçari luajti dy herë si titullar në katër ndeshjet e para të ligës, por nuk ishte në skuadër fundjavën e kaluar. Mbrojtësi i krahut pothuajse me siguri do të jetë titullar i rregullt edhe në kualifikueset e Kupës së Botës.

Gregor Kobel, hyri në sezonin e tij të pestë te Borussia Dortmund dhe mbetet numri një i padiskutueshëm te BVB. 27-vjeçari ka një kontratë me Borussia deri në vitin 2028.

Nico Elvedi, ka qenë nën kontratë me Borussia Monchengladbach për dhjetë vjet. Pas thashethemeve të përsëritura vitet e fundit se mbrojtësi do të donte të largohej, ai deklaroi besnikërinë e tij këtë verë. Këtë sezon, 28-vjeçari ka luajtur çdo minutë të mundshme si në ligë ashtu edhe në kupë. Elvedi gjithashtu mund të shpresojë për një ndeshje titullar kundër Kosovës dhe Sllovenisë.

Remo Freuler, mbetet titullar i rregullt në sezonin e tij të tretë te Bologna. Të premten dhe të hënën, Freuler pothuajse me siguri do të luajë në mesfushë qendrore përkrah Granit Xhakës.

Ruben Vargas, në paraqitjen e tij të dytë të sezonit të ri, asistoi për Sevillan në të dy golat në fitoren kundër Gironas, duke luajtur në pozicionin e mesfushës sulmuese.

Denis Zakaria, është një pjesë integrale e formacionit titullar të Monacos dhe mbetet kapiteni i tyre. Megjithatë, për shkak të konkurrencës së ashpër në mesfushë, është e paqartë se sa kohë loje do të marrë Zakaria në ndeshjet e ardhshme të ekipit kombëtar të Zvicrës.

/GazetaBlic Sport