Në Ditën Ndërkombëtare e të Zhdukurve, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe deputeti Enver Hoxhaj ka kujtuar dhimbjen e familjeve kosovare që ende presin lajmin për më të dashurit e tyre.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka theksuar se krimet ndaj popullatës civile nuk janë ndëshkuar ende dhe se drejtësia nuk mund të vonohet pafundësisht.
“Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve sjell përsëri dhimbjen e madhe për Kosovën, e veçanërisht për familjet që ende presin lajmin për më të dashurit e tyre. Është e padrejtë që krimet ndaj popullatës sonë civile ende nuk janë ndëshkuar, ndërsa pritja e familjeve vazhdon pafund. Këto plagë nuk mbyllen kurrë pa drejtësi, e ajo duhet të vendoset njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka shkruar se vendosja e drejtësisë për fatin e të zhdukurve është domosdoshmëri për shoqërinë kosovare dhe për të ardhmen e vendit.


