Lajme

Policia: Fëmijët po publikojnë postime për lëndim të vetes, kërkohet kujdes më i madh prindëror

08/29/2025 14:04
nga:N K

Policia e Kosovës ka ngritur alarm mbi rrezikun e postimeve të fëmijëve në media sociale që lidhen me vetëlëndim dhe vetëvrasje. Sipas policisë, disa raste të tilla tashmë janë trajtuar, duke pasur edhe pasoja serioze shëndetësore.

Në njoftim thuhet se fëmijët e rrezikuar janë identifikuar dhe janë siguruar për trajtim të menjëhershëm, ndërsa prindërit e tyre dhe mekanizmat përgjegjës janë informuar për të ndërhyrë në kohë.

“Me qëllim që të parandalohen rreziqet në internet që iu shfaqen fëmijëve, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, posaçërisht prindërve, që të kujdesen për fëmijët e tyre se çfarë bëjnë dhe postojnë në internet”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Policia, përveç paralajmërimit, ka ndarë edhe disa këshilla për prindërit dhe fëmijët, të cilat lidhen me përdorimin e drejtë dhe të sigurt të internetit:

Prindërit të flasin vazhdimisht me fëmijët për rreziqet online dhe të monitorojnë aktivitetet e tyre.

Të kenë kujdes se çfarë përmbajtjesh (foto, video, materiale) ruajnë fëmijët në pajisjet e tyre.

Të sigurohen se fëmijët nuk luajnë lojëra të rrezikshme që kërkojnë lëndim të vetes.

Fëmijët të jenë të kujdesshëm me kë shoqërohen në internet dhe kurrë të mos takohen me persona të panjohur pa dijeninë e prindërve.

Të kenë kujdes me postimet në rrjete sociale dhe të mos ngacmojnë të tjerët online.

Të mos shkarkojnë ose shpërndajnë materiale që përmbajnë abuzim ndaj fëmijëve.

Të mos qëndrojnë gjatë dhe pa arsye në internet.

Çfarëdo shqetësimi që kanë, ta ndajnë menjëherë me prindërit, shokët ose Policinë e Kosovës.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë që mund të rrezikojë fëmijët.