Lajme

Shkrimi i Bashës kundër UÇK-së/ Haxhiu: Me votën time, kurrë nuk do vendosej në krye të Kuvendit dikush i tillë – me fat që s’jam pjesë e këtij turpi

08/27/2025 20:23
nga:G B

Ish deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të artikullit kundër UÇK-së nga Dimal Basha, i cili u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kur ai tregonte publikisht se deputetë të LVV-së kanë shkruar e sponsorizuar artikuj kundër UÇK-së, shumëkush nuk i besonte.

Ai e ka quajtur fyerje të rëndë për luftën çlirimtare dhe për gjakun e dëshmorëve që Kuvendi të udhëhiqet nga ai.

Madje, ai ka thënë se s’do të votonte kurrë për të.

“Unë, edhe pse mora 18,600 vota, ndihem me fat që nuk jam pjesë e këtij turpi kombëtar. Jo me votën time kurrë nuk do të vendosej në krye të Parlamentit të Kosovës dikush që ka shkruar kundër UÇK-së”, ka shkruar Haxhiu.

Postimi i tij i plotë:

Kur unë ju tregoja publikisht se deputetë të LVV-së kanë shkruar e sponsorizuar artikuj kundër UÇK-së, shumëkush nuk më besonte.

Sot, pikërisht ata njerëz janë bërë deputetë me votën e qytetarëve, e madje njëri prej tyre Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kjo është fyerja më e rëndë për luftën çlirimtare dhe për gjakun e dëshmorëve. Një institucion që duhet të mbrojë vlerat e shtetit, sot është bërë skenë ku shpërblehen ata që e kanë baltosur UÇK-në.

Unë, edhe pse mora 18,600 vota, ndihem me fat që nuk jam pjesë e këtij turpi kombëtar.

Jo me votën time kurrë nuk do të vendosej në krye të Parlamentit të Kosovës dikush që ka shkruar kundër UÇK-së.

Kuvendi duhet të konstituohet e të shpërndahet menjëherë po atë ditë, për të ndalur degradimin e shtetit dhe për të rikthyer dinjitetin e institucioneve shtetërore përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.