Analisti politik Sali Rexhaj ka thënë se Dimal Basha e pasqyron Lëvizjen Vetëvendosje ashtu siç është në të vërtetë.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ai ka theksuar se mund të ketë zhvillime të tjera pas dorëheqjes së Liburn Aliut, si pasojë e zgjedhjes së Bashës si kryetar i Kuvendit.
“Nuk e di pse e bëjnë problem, kur Dimal Basha është figura më origjinale që e përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje të tanishme. E pamë se sot ka dhënë dorëheqje Liburn Aliu, me siguri do të ketë edhe turbulenca të tjera. Jemi para një akti të kryer – vetëm na mbetet të shohim si do të punojë zoti Basha,” tha Rexhaj.
Ai shtoi se në vazhdim mbetet të shihet puna e Bashës dhe nëse do të tregojë integritet në pozitën që mban.
“Nga ajo që u pa dje, menjëherë iu vendos afër Albulena Haxhiu. Për mendimin tim, kjo është nën nivelin e saj, pasi nëse nuk e ka fituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr Kuvendin dhe pranon një pozitë si zëvendëse e Dimal Bashës, për mua është nënçmuese si njeri. Por gjithsesi, mbetet të shihet nëse Dimal Basha do të ketë apo jo integritet,” ka thënë Rexhaj.


