Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka filluar të mërkurën fazën e intervistimit me gojë për 56 kandidatët që kanë kaluar me sukses testin e parë kualifikues dhe testin me shkrim, për rekrutimin e 20 gjyqtarëve në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.
Përmes një komunikate, Këshilli ka premtuar një proces transparent dhe të drejtë.
“Intervistimi përbën një hap kyç në procesin e përzgjedhjes, duke synuar vlerësimin e aftësive profesionale, integritetit dhe përgatitjes së kandidatëve për t’u bërë pjesë e sistemit gjyqësor. KGJK do të sigurojë një proces transparent dhe të drejtë, ku çdo kandidat trajtohet me barazi dhe profesionalizëm”, thuhet në njoftim.
KGJK-ja bën të ditur se ky proces po monitorohet nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si dhe aktivistja Flutura Kusari.
“Në funksion të garantimit të një procedure të hapur dhe të besueshme, KGJK ka ftuar të gjithë akterët e interesuar për të marrë pjesë në monitorimin e këtij procesi. Megjithatë, në fazën aktuale ishin të pranishëm përfaqësuesit nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si dhe aktivistja Flutura Kusari”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar procesin e testimit nga fusha penale dhe civile të mbajtur me datë 19 respektivisht me 20 korrik 2025. /BetimipërDrejtësi


