Lajme

Fëmijët detyrohen të dalin në rrugë e të kërkojnë lëmoshë?

08/26/2025 19:50
nga:Sh R

Në sheshet e qyteteve, pranë semaforëve dhe hyrjeve të lokaleve, fëmijët lëmoshkërkues janë një pamje e zakonshme.

Pa dëshirën e tyre, fëmijët shoqërojnë prindërit nëpër sheshe dhe rrugë, duke u bërë pjesë e pashmangshme e lëmoshkërkuesve.

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNj) e konsideron shqetësuese përfshirjen e fëmijëve në lëmoshkërkim, duke theksuar se një praktikë e tillë përbën krim dhe duhet të ndëshkohet, raporton Kiks Kosova.

Sipas tyre, përdorimi i fëmijëve të mitur për qëllime përfitimi është formë e shfrytëzimit dhe shkelje serioze e të drejtave të fëmijës.

Behxhet Shala, drejtori i KMLDNj-së, thotë se ka raste kur fëmijët keqpërdoren nga prindërit, por edhe raste kur për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dalin vetë të kërkojnë lëmoshë.

Ai shton se detyrimi i fëmijëve për të kërkuar lëmoshë është pjesë e skemës kriminale.

Sipas tij, fëmijët që shtyhen nga prindërit të kërkojnë lëmoshë përfundojnë si kriminelë, duke kryer vepra si vrasje dhe vjedhje.

Shala thekson se policia nuk është aktori kryesor në luftimin e kësaj dukurie, por institucionet duhet të krijojnë një plan për dëbimin e pjesës së madhe të lypsarëve që vijnë nga Shqipëria dhe të mos lejojnë hyrjen e tyre sërish në Kosovë.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë-Kosovë, Abaz Xhigoli, thotë se vazhdimisht bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës lidhur me rastet dhe strehimin e fëmijëve lëmoshkërkues.