Kalimi i Leon Avdullahut tek kombëtarja e Kosovës ka bërë bujë të madhe jo veç në vendin tonë, por edhe në Zvicër, pasi mesfushori më parë luante për grumpmoshat e Zvicrës dhe Murat Yakin planifikonte ta merrte atë me kombëtaren A në shtator, megjithatë Kosova u tregua më e shkathtë dhe e bindi që të përfaqësonte “Dardanët”.
Gazetari zviceran i Blick.ch, Lucas Werder tha se Kosova e donte më shumë Avdullahun dhe në fund e mori, duke theksuar gjithashtu që tek Zvicra ka edhe shumë konkurrencë.
“Mendoj se Kosova bëri më shumë përpjekje për të. Perspektiva më të mira ka edhe në pozitën e tij atje, ndërsa në Zvicër ka shumë konkurrencë në mesfushë me Xhakën, Jasharin, Zakarian dhe Freulerin”, tha fillimisht Lucas Werder për ‘GazetaBlic Sport’.
Werder zbuloi se Avdullahi kishte ftesë dhe ishte në planet e trajnerit të Zvicrës për duelet e shtatorit.
“Po, ky ishte plani i Yakin, që ta ftonte Leon Avdullahun në ndeshjet e shtatorit”, pohoi gazetari zviceran.
Në fund, gazetari tregoi edhe si u prit në Zvicër vendimi i Avdullahut për të përfaqësuar Kosovën.
“Disa njerëz janë të mërzitur sepse Leoni i bëri të gjitha stërvitjet dhe zhvillimin e tij në Zvicër. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ka edhe mirëkuptim sepse Federata Zvicerane u përpoq ta merrte atë shumë vonë në ekipin e parë”, përfundoi Werder.
Kujtojmë se Avdullahu pritet të debutojë ndaj Zvicrës si mysafir me 5 shtator, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026.
/GazetaBlic Sport


