Lajme

Vrasjet në vend, lënë gjurmë të thella emocionale tek qytetarët, flet psikologia Bajrami

08/22/2025 13:22
nga:N K

Në muajin e tetë të vitit 2025, në Kosovë, janë regjistruar 15 raste të vrasjeve, pesë prej të cilave kanë ndodhur vetëm gjatë muajit gusht, raporton GazetaBlic.

Armët ilegale vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë publike. Rastet e fundit kanë treguar se ato shpesh përdoren në incidente të rënda kriminale, përfshirë edhe vrasjet.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga viti 2015 e deri më sot, në vend kanë ndodhur gjithsej 274 raste vrasjesh me motive të ndryshme.

Statistikat e Policisë së Kosovës

Dhuna në rritje në shoqëri nuk ndikon vetëm në sigurinë fizike të qytetarëve, por edhe në gjendjen e tyre emocionale.

Psikologia klinike Adela Bajrami në një prononcim për GazetaBlic, thekson se ndikimi shkon përtej viktimave direkte dhe prek të gjithë shoqërinë.

“Ngjarjet e dhunshme, duke përfshirë këtu edhe vrasjet, nuk ndikojnë vetëm tek ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt në këto ngjarje, por lënë gjurmë të thella emocionale edhe tek qytetarët e tjerë. Përmes lajmeve, rrjeteve sociale dhe bisedave të përditshme, këto ngjarje bëhen pjesë e realitetit kolektiv, duke krijuar ndjesi frike, pasigurie dhe tronditjeje. Në këto rrethana, shoqëria përballet me një barrë emocionale që prek mirëqenien psikologjike individuale dhe marrëdhëniet e përgjithshme sociale”, tha ajo.

Ndikimi emocional i ngjarjeve të rënda nuk kufizohet vetëm në individë të caktuar. Bajrami thekson se efekti shtrihet në mbarë shoqërinë, duke ndryshuar mënyrën si njerëzit i përjetojnë ndjenjat e sigurisë.

“Po, raste të tilla krijojnë një ndjenjë më të madhe pasigurie dhe frike në shoqëri, edhe tek ata që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt. Njerëzit fillojnë të ndihen më të pasigurt dhe janë më të kujdesshëm në lëvizjet e tyre. Kjo ndikon edhe në gjendjen emocionale duke shkaktuar ankth dhe mungesë besimi tek të tjerët apo tek institucionet”, shprehet ajo.

Fëmijët dhe të rinjtë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndikimeve të dhunës. Psikologia shprehet se mund të ketë pasoja afatgjate në zhvillimin e tyre emocional dhe social.

“Lajmet që përfshijnë dhunën dhe vrasjet mund të kenë ndikim të madh tek fëmijët dhe të rinjtë. Ekspozimi i shpeshtë ndaj dhunës në media u krijon ndjenja frike, pasigurie dhe ankthi, duke i bërë të ndihen sikur rreziku është më afër se sa është në realitet. Fëmijët më të vegjël shpesh nuk arrijnë ta kuptojnë dallimin mes lajmit dhe përjetimit real, prandaj mund të bëhen më të varur nga prindërit dhe të kenë vështirësi me gjumin. Nga ana tjetër rastet e tilla mund të çojnë në një desensibilizim emocional, ku fëmijët apo të rinjtë fillojnë ta shohin dhunën si diçka të zakonshme ose të pashmangshme. Në këtë rast, tronditja dhe reagimi fillestar i frikës zvogëlohen, dhe dhuna mund të perceptohet si pjesë normale e jetës së përditshme. Kjo është veçanërisht problematike tek të rinjtë, pasi mund të ndikojë në mënyrën si ata formojnë qëndrimet, vlerat dhe sjelljet e tyre ndaj të tjerëve”, tha Bajrami për Gazeta Blic.

Në përballje me ngjarje të rënda, rëndësi të veçantë ka edhe vetë kujdesi emocional. Bajrami sugjeron një qasje të kujdesshme ndaj konsumimit të informacionit dhe rëndësinë e mbështetjes profesionale nëse ndjesitë negative përshkallëzohen.

“Përballja me lajme të rënda dhe negative mund të ndikojë ndjeshëm në ekuilibrin emocional të qytetarëve. Për këtë arsye, është e rëndësishme të kufizohet ekspozimi i tepërt ndaj tyre duke zgjedhur burime të besueshme dhe duke pushuar nga rrjetet sociale kur ndjeni mbingarkesë. Kujdesi për mirëqenien emocionale përfshin praktika si frymëmarrja e thellë, meditimi, aktiviteti fizik, gjumi i rregullt dhe ushqimi i shëndetshëm, të cilat ndihmojnë trupin dhe mendjen të qetësohen. Po aq e rëndësishme është edhe ndarja e emocioneve me familjen, miqtë apo komunitetin, pasi mbështetja sociale lehtëson ndjenjat e frikës dhe pasigurisë. Nëse emocionet bëhen të vështira për t’u përballuar dhe shfaqen shenja ankthi apo stresi të shtuar, kërkimi i ndihmës profesionale nga psikologu është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit mendor”, përfundon ajo.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në kuadër të përkushtimit të saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ka ndërmarrë veprime të shtuara operative në të gjithë vendin me qëllim të identifikimit dhe konfiskimit të armëve që mbahen pa leje, si dhe parandalimin e veprave penale që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Adela Bajrami, Psikologe klinike