Lajme

Haradinaj: AAK do të votonte plot kandidatë të VV-së, do të kërkojmë konsultë paraprake, të mos befasohemi si në seancën e kaluar

08/22/2025 10:52
nga:Sh R

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do të kërkojnë një konsultë para se të nisë seanca konstituive për të ditur se kush do të jetë kandidat i propozuar dhe të mos befasohen si në seancën paraprake me emrin e Donika Gërvallës.

Ai tha se në këtë konsultë mund t’i diskutojnë për kandidaturat se kush mund me qenë kandidat për kryeparlamentar dhe shtoi se partia e tij ka shumë kandidatë nga Vetëvendosje që do të mund t’i votonte.

“Në këtë mënyrë të përgatisim seancën dhe të mos shkojmë ashtu pa komunikim të ndërsjellë, qoftë edhe nëse s’pajtohemi për kandidaturat. Pra, edhe nëse kandidatura jounifikuese, mirë është që të kemi informatë paraprake kush do të jetë kryetar i Kuvendit, sepse ai ditën kur zgjidhet është kryetar i gjithë neve, i deputetëve dhe është e logjikshme një konsultë, një informatë paraprake. Sikurse e dini në seancën para kësaj ka qenë një lloj befasie çka ndodhi”.

“Ne e kemi përdorur këtë formulë, por Kurti s’na erdh, qëndroi në sallë. Nuk mund ta detyrojmë VV-në kënd ta propozojë, por është mirë që ta diskutojmë se kush mund të jenë kandidaturat unifikuese. Ka plot deputetë të VV-së që ne do t’i kishim votuar”.

“Pra, në këtë frymë nëse ka interes me ecë përpara për të mos i humbur kohë Kosovës, është e dhimbshme nëse i humbim edhe 30 ditë me këto tallje. Secili me kërku mënyra me dështu këtë mundësi, ne po kërkojmë mënyra me gjet zgjidhje. S’ka pse të mos pranohet konsulta. Ju siguroj që ka shumë emra nga VV që i kishim votuar”.