Lajme

Policia në kërkim të 50-vjeçarit i dyshuar për dhunë në familje dhe armë pa leje

08/22/2025 08:50
nga:Sh R

Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj ka pranuar më 21 gusht 2025, rreth orës 15:30, një informatë lidhur me një rast të dhunës në familje që dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi në komunën e Shtimes, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari – një mashkull kosovar 50-vjeçar, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Gjatë intervenimit dhe kontrollit të shtëpisë së tij nga njësitet policore, është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri e llojit pistoletë si dhe 23 fishekë, për të cilat i dyshuari nuk posedonte leje.

Me urdhër të prokurorit të shtetit janë iniciuar dy raste penale ndaj të dyshuarit:

Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

Dhunë në familje

Aktualisht, policia është në kërkim të të dyshuarit, ndërsa viktima është vendosur nën përkujdesjen dhe mbrojtjen e autoriteteve.