Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook pasi KQZ nuk certifikoi Listën Serbe.
Kryeziu tha se kjo që ndodhi sot në KQZ është një manovër politike që nuk prodhon efekte juridike pasi që, me shumë gjasë, edhe kësaj here, PZAP dhe Gjykata Supreme do ta urdhërojnë certifikimin e Listës Serbe.
Ai tha se shqetësuese për të është mungesa e guximit për të mbajtur qëndrim.
“Dy votat kundër të VETËVENDOSJEs nuk mjaftojnë për ta refuzuar certifikimin. Shtatë vota abstenim shpërfaqin një dinakëri të sofistikuar ku partitë tjera, në mënyrë faktike, i mbajnë krahun VETËVENDOSJEs sepse e pamundësojnë certifikimin, pra duken mirë para elektoratit. Dhe, në të njëjtën kohë, para ambasadës amerikane, duan të paraqiten si të pafajshëm, duke u justifikuar se u zunë të shtrënguar nga VETËVENDOSJE” shkruan Kryeziu raporton “Gazeta Blic”.
“Gjithçka që ndodhi sot, nuk është sjellje shtetërore. Jo mirë” përfundon Kryeziu.
Reagimi i plotë:
SHBA është garantuese e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, prandaj sugjerimet që vinë nga Uashington DC duhet t’i trajtojmë me shumë seriozitet. Dhe kjo gjë është përgjegjësi e të gjithë spektrit politik të Kosovës.
Duke qenë në pushtet për katër vite, si dhe duke vazhduar, de fakto, qëndrimin në pushtet, VETËVENDOSJE ka pasur të gjitha resurset dhe mundësitë në dispozicion që çështjet e ngritura sot t’i trajtojë në rrugët e duhura ligjore.
Pretendimet për çështje që e rrezikojnë sigurinë kombëtare duhet trajtuar brenda institucioneve përkatëse. KQZ, si një organ teknik, nuk është forumi dhe as organi kompetent për trajtimin e tyre.
Ajo që ndodhi sot në KQZ është identike me situatën kur u refuzua certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Kjo është një manovër politike që nuk prodhon efekte juridike pasi që, me shumë gjasë, edhe kësaj here, PZAP dhe Gjykata Supreme do ta urdhërojnë certifikimin e Listës Serbe.
Ajo që mua më shqetëson është mungesa e guximit për të mbajtur një qëndrim. Dy votat kundër të VETËVENDOSJEs nuk mjaftojnë për ta refuzuar certifikimin. Shtatë vota abstenim shpërfaqin një dinakëri të sofistikuar ku partitë tjera, në mënyrë faktike, i mbajnë krahun VETËVENDOSJEs sepse e pamundësojnë certifikimin, pra duken mirë para elektoratit. Dhe, në të njëjtën kohë, para ambasadës amerikane, duan të paraqiten si të pafajshëm, duke u justifikuar se u zunë të shtrënguar nga VETËVENDOSJE.
Gjithçka që ndodhi sot, nuk është sjellje shtetërore. Jo mirë.
Por le t’i përcjellim zhvillimet.


