Lajme

Cakolli: Nëse nuk fiton 61 mandate, partia e parë s’ka fituar asgjë tjetër përveç të drejtës për të filluar negociatat me të tjerët

08/20/2025 18:10
nga:Y I

Eugen Cakolli nga KDI ka folur në lidhje me ngërçin institucional që ka përfshirë vendin tani e disa muaj.

Cakolli në reagimin e tij thekson se të dalësh i pari në zgjedhje s’do të thotë se i ke fitu zgjedhjet.

Ai tha se ‘nëse nuk fiton 61 mandate, partia e parë nuk ka fituar asgjë tjetër përveç të drejtës për të filluar negociatat me të tjerët’.

“Në demokraci, vota e deputetëve nuk imponohet. Ajo nuk detyrohet as përmes retorikës, as me etiketime, linçime apo presion publik ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Tek e fundit, dështimi i një kandidature nuk lidhet me emra të përveçëm apo me biografi familjare – por me mungesën e mbështetjes së nevojshme.Pa vullnet për kompromis në një marrëveshje politike që siguron shumicën parlamentare, faji për bllokadën bie mbi ata që refuzojnë realitetin politik” shkruan Cakolli raporton “Gazeta Blic”.

Reagimi i plotë:

Me dalë i pari në zgjedhje nuk do të thotë me i FITU zgjedhjet!

Në sisteme parlamentare, të dalësh i pari në garë është e rëndësishme – por e pamjaftueshme për të qeverisur i vetëm. Sepse, institucionet formohen vetëm kur ndërtohet shumica e nevojshme. E të qenit “partia e parë” nuk është e barasvlefshme me të drejtën absolute për të udhëhequr, sidomos në mungesë të kompromisit me të tjerët.

Nëse nuk fiton 61 mandate, partia e parë nuk ka fituar asgjë tjetër përveç të drejtës për të filluar negociatat me të tjerët. Madje, në sistemin tonë, as fitimi i 50%+1 të votave nuk e garanton shumicën në Kuvend.

Në demokraci, vota e deputetëve nuk imponohet. Ajo nuk detyrohet as përmes retorikës, as me etiketime, linçime apo presion publik ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Tek e fundit, dështimi i një kandidature nuk lidhet me emra të përveçëm apo me biografi familjare – por me mungesën e mbështetjes së nevojshme.

Pa vullnet për kompromis në një marrëveshje politike që siguron shumicën parlamentare, faji për bllokadën bie mbi ata që refuzojnë realitetin politik.