Lajme

Dreshaj: Qeverisja aktuale, nuk siguroi as parakushtet për krijimin dhe funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore!

08/20/2025 17:27
nga:Genita C

Sot ka humbur jetën Drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Kamenicës, Greta Kryeziu.

Për të ndjerë një ditë më parë ishte kërkuar ndihmë për kurim jashtë vendi për transplanemtim të mëlçisë pasi nuk mund të realizohej në Kosovë.

Por fatkeqësisht si ky rast janë shumë raste të cilat kërkojnë ndihmë për trajtim jashtë vendi.

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”, mjeku Shemsedin Dreshaj.

Dreshaj tha se në rrethanat kur shëndetësia nuk është prioritet qeverisës, situata është dhe do të mbetet e tillë.

“Në kushte të tilla nevoja për shërim jashtë vendit rritet, gama e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike reduktohet, ndërsa pakënaqësia e pacientëve shtohen, madje ndonjëherë edhe për shkak të mosmbylljes së ciklit të shërbimit dhe mungesës së cilësisë”, u shpreh ai.

Ai shtoi se nuk ka shëndetësi cilësore pa sigurime shëndetësore dhe se zgjidhja në këtë fushë mund të arrrihet vetëm kur të bëhet shëndetësia prioritet.

“Sigurimet shëndetësore mundësojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rrisin gamën e tyre, përmirësojnë performancën në punë dhe rrisin përgjegjësinë menaxheriale të institucioneve dhe individëve, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Në kushte të tilla, nevoja për trajtim jashtë vendit rritet, gama e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike reduktohet, ndërsa pakënaqësia e pacientëve shtohet, madje ndonjëherë edhe për shkak të mosmbylljes së ciklit të shërbimit dhe mungesës së cilësisë”, vazhdoi ai.

Sipas Dreshajt, qeverisja aktuale nuk ka krijuar aspak kushte për sigurimet shëndetësore dhe nuk ka punuar në këtë drejtim.

“Kjo qeverisje aktuale, për pesë vjet, nuk siguroi as parakushtet për krijimin dhe funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore. Nuk ka fond për sigurime, nuk ka personel të trajnuar për këtë, madje nismat e kësaj iniciative ende janë të vendosura në ndërtesa private. Në rrethanat kur shëndetësia nuk është prioritet qeverisës, situata është dhe do të mbetet e tillë”, theksoi Dreshaj.

Problemet në shëndetësi lidhen me mungesën e shëndetësisë si prioritet qeverisës, mungesën e një fondi të qëndrueshëm për shëndetësi si dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe shfrytëzueshmërisë së kapaciteteve ekzistuese, tha ai.

Dreshaj tha shëndetësia duhet të bëhet prioritet nëse duam të dalim nga kjo situatë.

“Dalja nga kjo situatë është: ta bëjmë shëndetësinë prioritet, të funksionalizojmë sigurimet shëndetësore, të ngarkojmë menaxherët me kompetenca dhe përgjegjësi, si dhe të emërojmë në pozita udhëheqëse persona të ditur, të guximshëm dhe profesionistë të fushës”, përfundoi Dreshaj përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.