Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij vazhdon me qëndrimin se voton një kandidat nga LVV-ja për kryeparlamentar që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.
Pas seancës, ai tha se sot Kuvendi u rikthye në pikën “që u largua në mënyrë arbitrate” nga LVV-ja, duke iu referuar ndryshimit të mënyrës së votimit nga kryesuesi i seancës.
“Nëse duan zgjidhje, sot mund ta përfundonin këtë punë”, tha ai, duke shtuar se nuk ka votë për Albulena Haxhiun dhe për dikë që ka qenë ministër.
“PDK-ja, siç ka thënë prej fillimit, e përsërit qëndrimin e vet: ne do të votojmë një kandidat të pranueshëm që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit. Është e drejtë e tyre kë të duan ta kandidojnë, por është obligim ta kandidojnë dikë që zgjidhet, që kalon. Mund ta zgjedhin dikë që nuk ka qenë ministër, është çështje e tyre. Të shohim pasnesër, besoj që këta dëshirojnë të bëjnë një zgjidhje dhe me pasur një zgjedhje të kryesisë, sot kemi mundur ta kryejmë këtë punë. E kemi thënë: nuk ka vota për ministër,” ka thënë Krasniqi.
Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – që sot nuk morën vota për kryeparlamentare – janë ministre në Qeverinë në detyrë të Kosovës.


