Lajme

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi, u diskutua edhe për Kosovën

08/20/2025 07:17
nga:G B

Gazetarja Ardita Behluli ka folur për Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë që u mbajt dje, ku mes tjerash u fol edhe për Kosovën ndonëse primare ishte situata e brendshme atje, cila ka pasur shumë tensione kohëve të fundit.

“Nuk pati një deklaratë publike, por presidenti [Aleksandër] Vuçiq dha vetëm një përgjigje të shkurtër përmes një postimi, ku ka thënë se ‘ia kam kushtuar jetën Serbisë dhe se bashku do ta mposhtim edhe këtë të keqe’”, ka thënë Behluli në Edicionin Special të Klan Kosovës.

“Ndërkohë, pati një deklaratë publike drejtpërdrejt nga policia, e cila konfirmoi se në takimin e sotëm temat që janë diskutuar ishin: situata e sigurisë në vend, situata në Kosovë, në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe në Republikën Srpska”.

“Këto ishin temat që janë shtjelluar sot në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”.

Behluli vuri në pah se për dallim nga seancat e tjera, nuk ka pasur një raport publik mbi këtë të fundit.

“Kjo është shumë interesante. Zakonisht shohim një raport publik që bëhet pas seancave, e kësaj here nuk kemi diçka konkrete, vetëm se është konfirmuar për temat që janë shtjelluar sot në takimin e përbashkët me përfaqësues të institucioneve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare”.

“Duket që gjërat kanë filluar të bëhen më agresive,” ka shtuar Behluli duke krahasuar protestat e fundit me ato të mëparshmet.